Një revoltë në emër të Maries

16/06/2012 00:00

MENTOR KIKIA – Maria Cuku, 17 vjece qe u vra per gjakmarrjeKrimi i
përbindshëm mesjetar e sfidoi sërish shtetin, duke i prerë jetën në mes
një fëmije, një vajze mbi të gjitha.

Marie Cuku, nuk ishte duke pushuar si shumë shoqe të saj, që sapo kanë mbaruar shkollën. Ajo ishte duke punuar tokën, bashkë me gjyshin e saj. Por edhe këtu nuk e lanë. Ajo u vra dhe sot nuk është më mes të gjallëve. Policia nuk e pati të vështirë të gjejë shkaqet e vrasjes së një njeriu që nuk i kishte bërë askujt keq në jetën e saj fare të shkurtër. Ishte gjakësi! Mesjeta na tregoi se nuk është larguar ende nga mesi ynë, tregoi se është ende këtu dhe e fortë, duke mbjellë viktima krejtësisht të pafajshme. Mesjeta tregoi se është kaq e përbindshme sa nuk pyet as për ligjet dhe rregullat e saj të cilat e ndalonin vrasjen e një fëmije, e aq më tepër të një vajze. Por mbi të gjitha, mesjeta tregoi se është më e fortë se shteti, është më e fortë se ne të gjithë. Vrasja e Maries dhe gjyshit të saj nuk duhet të trondisë vetëm familjen Cuku në Dukagjin, por duhet të trondisë çdo familje shqiptari. Por, së pari ajo duhet të trondisë shtetin, qeverinë, drejtësinë, Parlamentin…. Ajo duhet të trondisë dhe të shkundë fort indiferencën e tërë neve, shoqërisë civile dhe medias. Shqipëria është sot në përpjekjet e saj finale për të marrë statusin e vendit kandidat për në BE. Asaj i duhet të plotësojë 12 kushte që i ka vënë Brukseli. Diplomacisë ndërkombëtare i ra bretku duke rendur nga njëra seli partie tek tjetra, për të kërkuar konsensus e paqe, në mënyrë që të realizohen kriteret dhe Shqipëria ta marrë statusin. Shqipëria do të jetë vend kandidat për në BE. Po ç’dreq kandidati do të jetë ky vend, kur ende vriten njerëz krejt pa faj, kur ende vriten njerëz për të paguar një krim që as e kanë bërë dhe as që kanë lidhje? Ç’dreq kandidati do të jetë ky vend kur ende ka njerëz që qëndrojnë në arrest shtëpie pa vendim gjykate (të ngujuar), sepse kërcënohen me vrasje nga gjakësi? Ç’dreq kandidati do të jetë Shqipëria, kur një ligj mesjetar është më i fortë se Kodi Penal? Forumi i Mendimit të Lirë, si organizatë që ka studiuar dhe dokumentuar familjet e ngujuara, shpreh indinjatën më të thellë për këtë krim të tmerrshëm dhe, pa asnjë ngurrim, ngre dorën dhe tregon me gisht si vrasës, jo gjakësin që fshihet pas ferrave si burracak, por shtetin që vazhdon të heshtë përballë kësaj maskarade. Forumi i Mendimit të Lirë tregon me gisht si vrasës drejtësinë, e cila ende dhe sot nuk ka hapur as edhe një proces hetimor ndaj atyre që i detyrojnë të tjerët të ngujohen, edhe pse kjo përbën vepër penale dhe ndëshkohet si krim. Ne çmojmë dhe vlerësojmë angazhimin e shtetit, institucioneve dhe zyrtarëve të lartë ditën kur nga një aksident fatal humbën jetën 10 vajza, thuajse bashkëmoshatare të Maries. Por sot askush nuk shkoi ta përcillte Marien, e cila nuk iku nga kjo botë as nga një aksident, as nga ndonjë sëmundje. Ajo u vra në mes të arës duke punuar për bukën e gojës për të paguar krimin e gjakmarrjes. Forumi i Mendimit të Lirë u bën thirrje të gjitha organizatave për të drejtat e njeriut, Avokatit të Popullit, ambasadorëve që janë angazhuar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ambasadorëve që me të drejtë revoltohen edhe kur një njeri përbuzet për shkak të orientimit seksual, shoqërisë në tërësi, medias dhe çdo njeriu të përgjegjshëm që të ngrenë zërin kundër këtij fenomeni, që të ngrenë zërin për të nxjerrë nga burgu ata qindra burra e fëmijë që qëndrojnë të ngujuar prej vitesh. Ne duhet të ngremë zërin fort për ata burra që nuk shkojnë dot në punë, sepse duhet të qëndrojnë të ngujuar nën kërcënimin e gjakësit. Ne duhet të ngremë zërin për ata fëmijë që nuk shkojnë dot në shkollë, sepse duhet të qëndrojnë të ngujuar. Ne duhet të ngremë zërin kundër heshtjes së shtetit, i cili ka vendosur të mbyllë, sy, veshë dhe gojë, për të treguar se gjakmarrja nuk ekziston, për të treguar se ne jemi një vend modern dhe europian. Maria sot nuk është thjesht një vajzë që nuk jeton, ajo është simboli i shëmtisë sonë të përbashkët, është simboli i shtetit që nuk ekziston, është simboli i shoqërisë që struket në heshtjen dhe rehatinë e saj. Vajtimi i prindërve të Maries është sot një klithmë që nuk duhet lënë të shuhet, por duhet shndërruar në himn për kërkimin e drejtësisë. Ajo është një motiv që duhet të na bëjë të gjithëve të përgjegjshëm, për të dalë në rrugë e për të protestuar, jo më në emër të politikës, por në emër të jetës.

Gazeta “Shqip”

Top Channel