E lindur si një lëvizje qytetare më shumë një vit më parë, Aleanca Kuq e
Zi ka bërë mjaft rrugë ndërkaq. Ajo është sot një parti politike, e
regjistruar në gjykatë si e tillë dhe e gatshme për t’u përballur në
zgjedhjet e ardhshme.

Ngjyrat e saj kuq e zi dhe veprimet plot simbolikë patriotike, u shpalosën edhe të shtunën paradite në Tiranë. Marshimi i delegatëve të Kongresit të parë nga sheshi ‘Skënderbej’ në Pallatin e Kongreseve i ngjajti një mitingu, me thirrje për largimin e qeverisë. Në fakt, Kreshnik Spahiu nuk e fshehu synimin e Aleancës Kuq e Zi për të prishur status quo-në e liderëve të njëjtë gjatë këtyre 20 vjetëve.

“Aleanca Kuq e Zi vjen sot për herë të parë, si një alternativë qeverisëse, më e mira, më profesonalja, me forcën e duhur për të thyer themelet e partive tradicionale, të cilat nuk duan t’u përmendim as emrin dhe që koha tashmë u ka perënduar”, tha Spahiu.

Sipas Kreshnikut Spahiut kjo përpjekje për ndryshim do të kurorëzohet me sukses, sepse Aleanca Kuq e Zi gjen frymëzim në vlerat dhe simbolet e kombit.

“Dhe ne vijmë si një agim kuq e zi, për të ribërë Atdheun, atje ku filloi shpërbërja, te himni, i cili largoi nga lufta njeriun tradhëtor, që çdokush e njeh tashmë, e më pas krejt ndryshe për ju që jeni krenarë me qenë shqiptarë, në ato vargje të himnit fatkeqësisht të munguara: ‘Se Zoti vetë e tha me gojë, se kombe shuhen përmbi dhe, por Shqipëria do të rrojë, për të për të jetojmë ne'”, tha Spahiu.

Ky kongres i parë kishte një karakter themelues dhe organizativ, me synim për të zgjedhur sekretariatin e përkohshëm, ku spikasin emra si Myslym Pashaj, Lisien Bashkurti, Ago Nesho, Aldo Shala, Rezear Balla, etj. Këshilli Kombëtar i Përhershëm, kryesia dhe nënkryetari do të zgjidhen në një kohë të mëvonshme. Kurse për postin e kryetarit ka vetëm një kandidaturë, ajo e Kreshnik Spahiut.

Top Channel