Parlamenti pritet të zbusë së shpejti moratoriumin e skafeve, duke
lejuar lundrimin e jahteve dhe anijeve me vela.Nisma u mor nga
mazhoranca, e cila sapo kishte rrëzuar nje inisiative ligjore të
opozitës për heqjen fare të Moratoriumit, i cili sipas saj eshte
bllokues për turizmin.

“Duke patur parasysh faktin, që amendamentet e deputetëve janë në favor të nismës së marrë nga deputetët socialiste, vendosëm, sic kemi vendosur edhe herë tjetër dhe me kërkesën e Partisë Socialiste, që amendamentet të kalojnë fillimisht në Komisionin e Ligjeve, përpara se të kalojnë në seancë. Gjithë qëllimi ka qenë thjesht pozitiv, por mesa duket Partia Socialiste është mësuar, që çfarëdo që ne të bëjmë ta kundërshtojë edhe kur është në të mirë të tyre”, tha në seancën e së enjtes, deputeti demokrat Edi Paloka.

Pas shtatë muaj kundërshti për heqjen e Ligjit të Moratoriumit, mazhoranca me këtë deklarim të deputetit Paloka në Parlament zbuti qëndrimin për këtë çështje. Deputeti demokrat Osman Metalla i tha Top Channel, se amendimet përfshijnë heqjen e moratoriumit vetëm për mjetet veliere dhe jahteve.

Propozimet e grupit parlamentar të PS-së dhe një projektligj i propozuar nga deputeti Artan Gaçi u sulmuan ashpër në mënyrë sistematike nga mazhoranca, me arsyetimin se heqja e moratoriumit do të rikthente trafikun permes gomoneve ne Adriatik drejt Italise.

Deputeti socialist Gaçi e ka përshëndetur këtë qëndrim të ri të maxhorancës duke deklaruar, se ata që përfitojnë janë qytetarët dhe jo një grup milionerësh pronarë jahtesh.

“Sot gjithë shqiptarët kanë një lajm të mirë, që mazhoranca u tërhoq nga rezistenca absurde dhe primitive që i bënte iniciativës së grupit të PS-së. Sot brenda natës, pas një zvarritje disa mujore të futjes në shqyrtim në seancë të këtij amendimi, për shkak të mungesës së kuorumit të votave janë detyruar që për gjithë natën në thelb e zbut, merr parasysh kërkesën jo vetëm të PS-së, por të të gjithë të zgjedhurve vendorë dhe të qytetarëve të vijës bregdetare. Thelbi i këtij amendimi nga ana jonë nuk kane qenë jahtet për miliarderët. Pavarësisht se ata na akuzonin dhe luanin me populizëm. Thelbi i këtij amendimi ka qenë zhbllokimi i detit për të gjithë mjetet turistike, për qytetarët e thjeshtë të këtij vendi”, tha deputeti Gaçi.

Disa ditë më parë, kryetaret e bashkive te majta qe administrojne zona turistike bregdetare firmosën një peticion për heqjen e moratoriumit, të cilin e kanë cilësuar si të dëmshëm për turizmin. Ndërkohë edhe ambasadori italian, Massimo Gaiani gjatë një vizite në qytetin e Durrësit, e ka quajtur një masë ekstreme moratoriumin, duke thënë se shpreson që metoda të tilla të mos jenë më të nevojshme.

Top Channel