Shitja e naftës në det

14/06/2012 00:00

Deputeti socialist Erjon Braçe ka denconcuar, përmes dokumenteve
zyrtarë, një vendim të qeverisë, që sipas tij paralajmëron një tjetër
aferë korruptive në fushën e koncesioneve në naftë.

Vendimi miraton një marrëveshje për kërkim nafte mes qeverisë shqiptare dhe një kompanie izraelite të regjistruar në Qipro, për një zonë mbi 5 mijë kilometra katrorë në det, e cila ishte dhënë më parë si territor që do të privatizohej me Albpetrolin.

“Pasi Albpetrol, megjithëse listën C ka dalë në shitje, ndërhyn qeveria dhe shkëput apo autorizon Albpetrolin të hyjë në një marrëveshje, për një pjesë të sipërfaqes apo vendburimeve të hamendësuara në listën C, për t’ia dhënë një kompanie tjetër, jashtë garës, jashtë konkurrencës dhe çdolloj praktike tjetër transparente”, tha Braçe.

Zoti Braçe thotë se momenti në të cilin qeveria nënshkroi marrëveshjen i rrit edhe më shumë dyshimet për një  aferë jo transparente.

“Shqiptarët, që e kishin mendjen te Presidenti, tashmë duhet të hapin sytë edhe njëherë tjetër, për të kuptuar që pasuria më e madhe e nëntokës së tyre, në det apo në tokë, po dorovitet në përmbushje të interesave të kësaj qeverie, duke u deleguar te klientët e saj, pa garë, pa konkurrencë dhe jashtë interesave të drejtperdrejta të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë”, tha Braçe.

Sipas tij marrëveshja që i jep kompanisë “Emanuel Adriatic Energy”, me seli qëndrore në Izrael, por e regjistruar në Qipro, është grabitja e radhës që qeveria po i bën pasurisë më të madhe të vendit në favor të klientëve të saj.

“Qytetarët e Republikës së Shqipërisë, të gjendur në mes të krizës, në vështirësi të pamata ekonomike dhe financiare, vijojnë të mos përfitojnë asgjë nga këto marrëveshje që qeveria e Sali Berishës po i lidh tashmë me seri, thuajse me breshëri për interesat e saj dhe natyrisht për interesat e klientëve të saj”, tha Braçe.

Zona prej 5070 kilometrash katrorë, në të cilën kompania qipriote do të kërkojë për naftë, më parë ishte pjesë e privatizimit të Albpetrolit, në të ashtuquajturën ‘lista C’. Por me një vendim të papritur, teksa procesi i privatizimit të Albpetrol kishte nisur dhe 7 kompani kanë tërhequr dokumentat qeveria e ka hequr këtë zonë nga Albpetrol duke ja dhënë kompanisë qipriote.    

Top Channel