Presidenti, a ka qëlluar Berisha me “Nishan”?

14/06/2012 00:00

ANDREA STEFANI – E kishim parathënë që në vitin 2008, kur u bënë
ndryshimet e Kushtetutës, se Berisha do ta zgjidhte presidentin vetëm me
votat e shumicës.

E parathamë një gjë të tillë edhe para dy muajsh, kur një zbaticë e konfliktualitetit politik, krijoi iluzionin e një konsensusi të mundshëm për çështjen e presidentit. Çfarë na bëri të parashikojmë me saktësi atë që do ndodhte? Asgjë më shumë se njohja e natyrës së kryeministrit dhe epshit të tij për të kapur shtetin. A është e mundur që një ujk i uritur të mos kollofisë një qengj të mbetur pa mbrojtje? A ishte e mundur që Sali Berisha të mos kollofiste edhe postin e presidentit, duke caktuar në atë detyrë një zbatues të heshtur të urdhrave të tij.

***

Ato që thuhen sot mbi fajësinë e opozitës për mosarritjen e konsensusit janë krejt pa sens dhe një taktikë, e njohur tashmë, e propagandës berishiste për ta shpërndarë fajin te gjithë krahët e politikës. Në vitin ‘97, pasi kish toleruar haptazi skemat piramidale duke përfituar edhe financiarisht prej tyre, Berisha tha se i kish ngritur opozita. Grushtin e armatosur të shtetit të vitit ‘98 u përpoq ta justifikonte me marrjen me kallash të pushtetit nga opozita si dhe me vrasjen prej Fatos Nanos të Azem Hajdarit. Të gjitha, siç rezultoi më vonë, gënjeshtra dhe mashtrime. Vrasjen e protestuesve më 21 janar, e justifikoi me “fajin” e Edi Ramës, që nxori njerëzit para plumbave të gardës. Njësoj si një vrasës që justifikohet se nuk vrau ai, por ishte një njeri që u ngul në thikën e tij! Njësoj si një vjedhës kuajsh të mbrohet duke thënë se nuk e vodhi ai kalin, por e rrëmbeu kali atë! Hidhe fajin te tjetri me çdo lloj rrene të mundshme. Kjo është taktika e Berishës. Dhe nuk është se nuk ka pasur sukses. Ja i dëgjoni edhe tani disa prej ndërkombëtarëve si shprehen? Bëjnë fajtore të gjithë klasën politike, për moszgjedhjen e një presidenti konsensual. Pra edhe opozitën. Sa bukur! Berisha zgjedh një president kukull, duke avancuar projektin e tij autokratik për kapjen e shtetit, ndërkohë që opozita del bashkëfajtore njësoj si ai për pengimin e integrimit. Ke faj! – i thonë disa ndërkombëtarë opozitës. Një situatë ironike që vështirë të mos të të kujtojë pronarin e lopës së vjedhur që, i vënë para përgjegjësisë nga i gjithë fshati, reagoi i nervozuar: Po ai që vodhi lopën, a nuk ka faj?!

***

Të gjitha shanset për të zgjedhur një presidenti konsensual, u shkatërruan nga një faktor i vetëm që është kryeministri. Një president konsensual ishte plotësisht i mundur nëse Shqipëria do kish një kryeministër që e ka pranuar projektin europian të shtetit me pushtete të ndara, një shtet të arsyes. Por Berisha është një kryeministër me instinkte të pafjetura autokratike, që nuk e lejojnë të zgjedhë një president që i kufizon pushtetin e tij. Janë këto instinkte që e shtynë Berishën të bëjë të kundërtën, të zgjedhë një president që nuk e kufizon, por e zgjeron pushtetin e kryeministrit. Dhe në realizimin e këtij instinkti autokratik, Berisha talli dhe vuri në lojë jo vetëm njerëz të tij, por edhe përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar në Tiranë. Ai dirigjoi një proces butaforik negociatash me opozitën, vetëm për të mashtruar ndërkombëtarët se po përpiqej për një president konsensual. Një proces që do ta përdorte, siç edhe po e përdor, si alibi për të maskuar epshin e tij për një president kukull, me “fajësinë” e opozitës, me “pamundësinë” për të zgjedhur një president konsensual. Dhe ndërkombëtarët merrnin seriozisht një Berishë që bënte sikur…Në rrjetën e këtij skenari ranë edhe figura të njohura të jetës publike si Xhezair Zaganjori apo Artan Hoxha. Me këtë të fundit pata debatuar dy muaj më parë, në emisionin “Prizëm” të televizionit “Albanian Screen”. U përpoqa ta bind Hoxhën se Berisha do zgjidhte një president me 71 vota. Këmbënguli për të kundërtën dhe u shfaq shumë optimist se Berisha do arrinte një konsensus me opozitën. Mjerisht Hoxha u bë vetë viktimë e skenarit të paskrupullt të Berishës që, ironikisht, e mbrojti me aq zjarr. Dhe nuk e ka për të parën herë.

***

Por zgjedhja e ministrit Bujar Nishani në postin e presidentit nuk është fundi, por veç fillimi i së keqes. Tani është momenti kur Berisha i ka në dorë të gjithë levat për të vënë në lëvizje projektin e tij antieuropian, ku nuk është shteti ai që kontrollon e kufizon pushtetin, por është pushteti që kontrollon shtetin. Për këtë shkak, dhe jo për ndonjë konvencion, duke filluar që nga 12 qershori Shqipëria i ka më të pakta shanset për integrim. Të mashtruar keq nga Berisha, ndërkombëtarët tani dërgojnë mesazhe drejt Presidentit të zgjedhur Nishani, duke e garantuar se do ta mbështesin në punën për pavarësimin e institucioneve. Nuk e dinë ose bëjnë sikur nuk e dinë, se Nishani u zgjodh President nga Berisha pikërisht sepse ka demonstruar që nuk do ta bëjë një gjë të tillë, pra, nuk do punojë për pavarësimin e drejtësisë dhe institucioneve të tjera nga kryeministri. Të gjitha gjasat janë që Nishani të bëjë të kundërtën, të punojë si vegël e bindur e Berishës për kapjen prej tij edhe të atyre institucioneve të mbetura jashtë sundimit kryeministror. Pasi vuajti jo pak nga Alfred Moisiu, pasi pati ca probleme edhe me Bamir Topin, duket se Berisha është matur shumë për të ardhur tek Nishani, duke zgjedhur një president për fuqizimin e pushtetit dhe jo të shtetit. Dhe ka vetëm një grimcë shprese që ai të mos ketë pasur “nishan”…

Gazeta “Shqip”

Top Channel