Gjakmarrja, vritet mbesa dhe gjyshi

14/06/2012 00:00

Një ngjarje e rëndë ndodhi pasditen e së enjtes në Dukagjin të Shkodrës ku një vajzë 17-vjeçare dhe gjyshi i saj janë qëlluar për vdekje ndërsa dyshohet se shkak i këtij krimi të dyfishtë është bërë gjakmarrja.

Viktimat janë Marie Cuku, 17 vjeç dhe gjyshi i saj Kol Cuku, 70 vjeç. Ngjarja ndodhi në fshatin Kasnec të Komunës Pul të Dukagjinit. 17-vjeçarja dhe i moshuari kanë qenë duke punuar tokën pranë shtëpisë kur janë qëlluar me breshëri automatike.

Vajza gjeti vdekjen e menjëherëshme, ndërsa gjyshi i saj ndërroi jetë pak minuta pas mbërritjes në spitalin rajonal të Shkodrës.

Një nga pistat kryesore ku policia ka përqendruan hetimet është gjakmarrja, pasi nipi i viktimës, ka qëlluar për vdekje dy vite më parë një 50-vjeçar, banor i fshatit Kasnec pas konflikteve për një borxh të pashlyer.

Burime nga policia bëjnë të ditur se autorët e ngjarjes janë identifikuar dhe dyshohet se janë dy, emrat e të cilëve nuk janë bërë të ditur për shkaqe hetimore.

Ndonëse Kanuni përjashton nga gjakmarrja femrat dhe fëmijët, rregullat për të vrarë tashmë nuk kanë as Kanun dhe as ligj, duke e shndërruar gjakmarrjen në një betejë të frikshme e të pamëshirshme ku askush nuk ka mundur ta ndalojë. 

Top Channel