Fullani: Konsensus politik, kriza kërkon qetësi

14/06/2012 00:00

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani ka reaguar për herë të
parë, pas thirrjeve nga ekspertë dhe përfaqësues së biznesit, se Banka
Qendrore duhet të jetë më shumë aktive për të mbështetur ekonominë.

“Të nxitur nga përfitimet e perceptuara afatshkurtra kundrejt kostove reale, që mbart procesi i korrektimit, publiku, biznesi, grupet e interesit kërkojnë koncensione afatshkurtra nga instituicionet përkatëse, përfshi këtu edhe bankat qendrore. Nuk mund të kërkohen zgjidhje ekstreme, kur akoma nuk janë ezauruar të gjitha mundësitë, për një konsolidim afatmesëm dhe afatgjatë”, tha Fullani.

Zoti Fullani pranoi se nxitja që Banka e Shqipërisë i ka dhënë ekonomisë, duke ulur normën bazë nuk është përcjellë në treg, por kjo sipas tij po ndodh për shkaqe që nuk janë në dorën e bankës.

“Masat e partnerëve për të rritur konfidencën në sistemet e tyre financiare dhe për të rregulluar zhbalancimet makro-financiare e bëjnë të vështirë transmetimin e politikës monetare në ekonomi. Ato e shqetësojnë publikun dhe ulin besimin e tij në të ardhmen. Janë pikërisht këto arsye që e pengojnë sistemin banker të financojë ekonomine dhe qeverine me norma me te uleta interesi e rrjedhimisht përcimin e politikës monetare të bankës qendrore, në lehtësimin e kushteve monetare dhe financiare”, tha Fullani.

Ndaj edhe zgjidhjen për të zbutjen e efekteve të krizës guvernatori e shikon jashtë bankës qëndrore dhe kryesisht tek politika.

“Akoma ka vend për ekzekutimin e kolateteralit, për uljen e rrezikut të përceptuar që vjen nga situata e rënduar politika dhe mungesa e frymës së konsensusit, ngadalësimi i reformave dhe njëkohësisht, mbështetja e shpejtë e reformave të akorduara me Komisionin Europian dhe më e rëndësishmja nga të gjitha është se ne duhet të gjejmë një konsensus të madh politik për ta vënë, në këto kohë, ekonominë mbi politikën”, tha Fullani.

Bode: Kriza si “Ferri”

Qeveria ka filluar ta lexojë më drejt krizën e Eurozonës dhe pasojat që ajo ka në ekonominë shqiptare.

Ajo duket se ka levizur nga pozicioni i saj kur e perjashtonte Shqipërinë nga vala e madhe e drames ekonomike europiane.

“Tranzicioni për vendet e rajonit tonë nuk ishte aq i dhimbshëm ekonomikisht, pasi baza e nisjes ishte shumë më e dhimbshme, por kriza aktuale dhe marrja e masave për kapërcimin e saj, realisht i ngjan Luginës së Ferrit, nevojës për të kapërcyer”, tha Ministri i Financave, Ridvan Bode.

 

Top Channel