Energjia, pasaportë për produktet

13/06/2012 00:00

Komisioni Parlamentar i Veprimtarive Prodhuese po diskuton një ligj, i
cili detyron tregtarët e produkteve që konsumojnë energji apo kanë
ndikim në konsumin e saj, t’i pajisin ato me informacione të hollësishme
mbi sasinë e energjisë që konsumojnë.

“Ky informacion do të ndikojë, sic është e natyrshme në zgjedhjen prej konsumatorëve, të atyre produkteve që kanë konsum më të vogël të energjisë, por nga ana tjetër do të ndikojë dhe në operatorët ekonomikë që të vendosin në treg produkte sa më eficente për energjinë”, tha Ilir Bano, deputet demokrat.

Por drafti, i cili është bazuar në një direktiv të Bashkimit Europian nuk e ka përcaktuar listën e produkteve që do të detyrohen të kenë këtë informacion. Ky ishte dhe një nga dy shqetësimet që ngriti opozita.

“Për çfarë shërben ky ligj, kur as produkte të identifikuara nuk ka dhe as mënyrë apo kapacitete për të monitoruar nuk ka”, tha deputeti socialist Eduard Shalsi.

Përfaqësuesja e qeverisë në Komison tha se lista e produkteve do të hartohet nga Komisioni Europian dhe më pas do të futet në ligj.

“Kjo listë nuk është bërë as nga vetë Komisioni Europian. Ne nuk kemi kapacitete këtu faktikisht që të bëjmë atë punë që do të bëhet nga Komisioni Europian që kanë ekspertë nga të gjithë vendet e shteteve anëtare”, tha përfaqësuesja e qeverisë.

Sipas ligjit qe po diskutohet kontrolli i etiketave të produkteve, që konsumojnë energjie do të bëhet nga strukturat në varësi të Ministrisë së Ekonomisë.

Top Channel