Nishani: Dua të punoj me PS-në

12/06/2012 00:00

Presidenti i zgjedhur Bujar Nishani shprehu keqardhje që u zgjodh vetëm
me votat e mazhorancës, ndërsa u shpreh se do të kishte dashur të merrte
edhe votat e opozitës. Nishani shtoi se do të kërkojë edhe
bashkëpunimin e Partisë Socialiste gjatë mandatit të tij.

“Natyrisht që do të më pëlqente shumë që të merrja edhe votën e opozitës, por natyrisht opozita ka ushtruar të gjithë të drejtën e sovranitetit të saj. Eshtë një qëndrim, i cili i takon ta marrë brenda të gjithë sovranitetit të saj politik si opozitë. Ajo që është e rëndësishme për mua, ka të bëjë me faktin e respektit maksimal, që unë i ofroj opozitës shqiptare, ashtu si të gjithë institucioneve dhe aktorëve të jetës politike dhe publike në Shqipëri. Partia Socialiste është forca e dytë në Parlament, deputetët e saj janë në Parlament dhe kontakti me ta padyshim që do të jetë në Paralement dhe më pas padyshim që kontaktet do të jenë normale”, tha Nishani.

I zgjedhur ne postin e presidentit, zoti Nishani deklaroi se kishte dhene doreheqjen e parevokueshme perpara votimit ne Kuvend tek Kryeministri Berisha, duke hedhur poshtë zerat se zgjedhja e tij është antikushtuese.

“Para votimit kam depozituar pranë Kryeministrit kërkesën për dorëheqje. Sot siç e shihni unë bëra shkëputjen me stafin formalisht. Natyrisht kjo do të pasohet me dekretin e Presidentit të Republikës, për lirimin nga detyra, pasi të kërkohet nga ana e Kryeministrit, bazuar në kërkesën që unë i kam depozituar dje”, tha Nishani.

Me herët Nishani organizoi edhe ceremoninë e largimit nga detyra si ministër i Brendshëm, duke falenderuar stafin e kësaj Ministrie për bashkëpunimin.

Top Channel