Meta: Shmangëm zgjedhjet e parakohshme

12/06/2012 19:50

Një ditë pasi u tregua besnik me Sali Berishën, duke i dhënë votat e LSI për të zgjedhur president Bujar Nishanin, Ilir Meta e vlerësoi procesin si kushtetues, që shmangu zgjedhjet e parakohshme dhe nxori një produkt të vlerësuar nga të tërë.

”Ka pasur disa mundësi për konsensus dhe në fund fare kemi pasur rolin e parlamentit sovran, që ka pasur për detyrën e kreut të shtetit në përputhje me kushtetutën, që jepte në mungesë të konsensusit, të vetmen zgjidhje konkrete, për të shmangur zgjedhjet e parakohshme. Produkti konkret i procesit, që tani është presidenti i ri, Bujar Nishani, pavarësisht nga përkatësia në të kaluarën në PD, absolutisht është një figurë tepër konstruktive dhe me këtë pikë mendoj se edhe opzoita ndan të njëjtin vlerësim, pavarësisht nga qëndrimi i saj politik për arsye natyrisht të pakënaqësisë së saj për mosarritjen e një konsensusi për emrat”, deklaroi Ilir Meta.

Me një përgjigje të shkurtër, por kategorike, kreu i LSI-së hodhi poshtë mundësinë e pjesëmarrjes së tij në qeverinë Berisha. ”Media bie viktimë e të pavërtetave, por edhe kio është demokratike”, tha kryetari i LSI-së.

Pas sigurisë se kjo mazhorancë nuk do të rrëzohet deri në 2013-ën, e vetmja gjë që pritet tani me interes është emri që kryeministri do të përzgjedhë për t’i besuar Ministrinë e Brendshme.

Top Channel