Presidenti i Maqedonisë, George Ivanov, i ka dërguar një telegram urimi Presidentit të ri Shqiptar, Bujar Nishani, me rastin e zgjedhjes së tij në në këtë post.

Ivanov shpreh kënaqësi për shkallën e lartë të marrëdhënieve miqësore mes Maqedonisë dhe Shqipërisë, si dhe bindjen se me angazhim të përbashkët do të kontribuohet për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në të gjitha sferat. Presidenti i ri shqiptar, urime ka marrë edhe nga lideri i BDI-së, Ali Ahmeti dhe ai i PDSH-së, Menduh Thaçi.

Ahmeti, mes tjerash i shkruan zotit Nishani se zgjedhja e tij në krye të shtetit shqiptar në 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë ka rëndësi të veçantë për të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë dhe kjo zgjedhje reflekton përkushtimin e Shqipërisë drejt rrugës së integrimit.

Në letrën e tij drejtuar zotit Nishani, kreu i PDSH-së Menduh Thaci,  shkruan: “Shprehim bindjen se me zgjedhjen e Juaj në këtë detyrë padyshim do të kontribuoni në avancimin e standardeve demokratike duke patur parasysh se ju jeni president i të gjithë shqiptarëve”.

Thaçi beson se Presidenti i ri Shqiptar do të vazhdojë të promovojë politikën e mirëkuptimit jo vetëm brenda Republikës së Shqipërisë, por edhe më gjërë.

Top Channel