Ilir Meta drejt Ministrisë së Brendshme?

12/06/2012 00:00

Kur deputetët prisnin me padurim që të zhvillohej raundi për kandidatin e
parë Artan Hoxha, 200 metra larg godinës së seancës plenare, në zyrën e
Kryeministrit ishin mbledhur aleatët e koalicionit qeveritar, Berisha,
Meta, Mediu dhe Idrizi.

Shkaku ishte largimi i Hoxhës, si dhe caktimi i një kandidati tjetër. Kryeministri Berisha, për më shumë se gjysmë ore, është munduar të bindë aleatët e tij për të votuar ministrin e Brendshëm, Bujar Nishani në postin e presidentit, duke i ofruar edhe mundësinë e rikompozimit të kabinetit qeveritar. Ky shpërblim, bën të ditur gazeta Shqip” lidhet me faktin se deputetët aleatë duan të jenë ministra.

Pas mbylljes së negociatave, mirëkuptimit për rikompozim të qeverisë, nga Kuvendi, Astrit Patozi i PD-së deklaroi zyrtarisht kandidatin e tyre për president dhe caktoi orarin e votimit. Ndërsa më pas mësohet se në zyrën e Berishës, derisa mblidheshin firmat pro Nishanit në Kuvend, në orën 14.00 është futur kryeparlamentarja Topalli, ku për 40 minuta kanë bashkëbiseduar mbi situatën e re politike.

Nuk dihet nëse mes Berishës dhe Topallit është diskutuar për ndryshimet në qeveri, si dhe për mundësinë që nënkryetarja e PD-së të jetë pas vitesh në pushtet si ministre. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, nga ana tjetër, pas takimit me Kryeministrin, ka mbledhur të gjithë deputetët e partisë së tij, në zyrën e nënkryetarit të Kuvendit, Vangjel Tavo. Në zyrë kanë qenë edhe ministrat Nasip Naço dhe Petrit Vasili. Nuk dihen ekzaktësisht detajet e bisedës, porse në fokus, veç votës pro Nishanit, mësohet të jenë diskutuar edhe ndryshimet e pritshme të qeverisë. Largimi i Nishanit lë vakant postin e ministrit të Brendshëm. Tashmë ai pritet të caktohet së shpejti nga Kryeministri. Ndërsa prej kohësh është përfolur që Meta do të rikthehet në qeveri, duke marrë një post të rëndësishëm në kabinetin “Berisha”.

Vendi vakant tashmë e çon atë si ministër të Brendshëm. Ndërsa mund të ketë lëvizje edhe në dikasteret e tjera, ku Ministria e Shëndetësisë mund të përfaqësohet sërish nga LSI-ja, por me një ministër me mandat deputeti. Lëvizja Socialiste për Integrim në këtë kohë është rritur ndjeshëm si faktor ndikues ndaj PD-së, e cila mbahet nga 4 votat e aleatit kryesor në pushtet. Kjo kartë e fortë mbase mund të ndikojë që Berisha t’i përshpejtojë edhe ndryshimet në kabinetin qeveritar. Nëse mund të ketë një rikompozim të qeverisë në muajin shtator, një rit i kryer edhe më parë në këtë fillimsesioni kuvendor, pritet që edhe aleati tjetër i PD-së, PDIU-ja, të ketë një përfaqësim në qeveri. Prej kohësh kreut të PDIU-së i është premtuar një përfaqësim niveli të lartë të partisë që drejton, porse mbase besnikëria e shfaqur në votimin për presidentin, mund të ‘shpërblehet’ me një portofol ministror. Kërkesa për ndryshime në qeveri janë bërë edhe nga kampi i PD-së. Shumë deputetë të mazhorancës janë deklaruar pro rifreskimit të ministrive, pasi ka ministra që janë prej më shumë se gjashtë vitesh në postet e tyre. Gjithashtu rikompozimi i qeverisë shihet si i domosdoshëm dhe për faktin se duhet të angazhohet për zgjedhjet parlamentare, të cilat pritet të mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm. Përgatitja e së djathtës në zgjedhjet e ardhshme, bashkëpunimi me aleatët në zgjedhjet e pritshme të përgjithshme, e bën dhe imediate ndryshimet në qeverinë aktuale. Ndërsa Berisha në të njëjtën kohë duhet të ketë kujdes, që edhe pse në një koalicion qeveritar të brishtë prej 73 numrash në Kuvend, nuk duhet ta shtojë rrethin e të pakënaqurve në kampin e PD-së.

 Gazeta “Shqip”

Top Channel