Presidenti, Berisha: Votojmë Artan Hoxhën, konsensusi i pamundur

11/06/2012 00:00

Kryeministri Sali Berisha deklaroi në mbledhjen e grupit parlamentar
demokrat se në tryezën e bisedimeve me kryetarin e opozitës Edi Rama,
ishte i pamundur konsensusi për një kandidat për President.Nderkohe grupi i deputeteve socialiste do te jete i pranishem ne seance, por nuk do te marre pjese ne votim.

“Kërkesat e Ramës për kandidatin ishin tepër specifike. Ai kërkonte një kandidat që nuk më kishte shtrënguar kurrë dorën. Ne bëmë maksimumin në tryezën e bisedimeve por ishte e pamundur”, tha Berisha.

Duke folur para deputetëve demokratë, Berisha rikonfirmoi se koalicioni ka vendosur që në raundin e katërt të votohet në unanimitet të plotë, zotin Artan Hoxha.

“Sot ne do të votojmë për zotin Artan Hoxha, në procesin më të rëndësishëm të vendit, midis dy zgjedhjeve të përgjithshme dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën”, tha Berisha, duke theksuar se për këtë zgjedhje respektohet edhe pakti i 2009 i nënshkruar me LSI-në.

Top Channel