Pas një periudhe heshtje prej gati tre ditësh, Fatos Nano ka qenë tepër aktiv gjatë të hënës me qendrime dhe deklarata. Më e fundit ishte ajo pas zgjedhjes së Bujar Nishanit në postin e kreut të shtetit, të cilin Nano e ka përshëndetur.

Por vetëm pak orë më parë, pas deklaratave të kreut socialist se mazhoranca po bënte diversion me Fatos Nano, ish-lideri i PS-së, Fatos Nano për herë të parë pas shumë vitesh ka lëshuar një deklaratë të ashpër në adresë të Kryeministrit Berisha.

Por le të marrim me radhë qendrimet e zotit Nano në orët e pasdites, pak përpara se të niste raundi i katërt për votim, pas dorëheqjes së papritur të Artan Hoxhës dhe kandidimit të Bujar Nishanit, në një deklaratë të Lëvizjes Fatos Nano për President theksohej se ish-kryeministri Fatos Nano pas konsultave me konstitucionalistë paralajmëronte mazhorancën se me zgjedhjen e Bujar Nishanit po kryente një veprim anti-kushtetues për shkak se ky i fundit mbante njëkohësisht edhe postin e Ministrit të Brendshëm.

Çka sipas zotit Nano përbën një shkelje të rëndë të ngjashme deri diku me atë të zotit Ilir Beqaj ish-deputet i Partisë Socialiste i cili humbi mandatin e tij pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Rreth 60 minuta më pas në një tjetër deklaratë, shprehej zhgënjimi i zotit Nano për rrjedhën që kishte marrë procesi. Në minutat që i paraprinin zgjedhjes së Bujar Nishanit, zoti Nano sulmoi vetëm dhe ashpër kryeministrin Berisha, të cilin ai e quan përgjegjës të vetëm të krizës politike në vend.

Nano deklaronte se Berisha tregoi se donte më shumë pushtetin e tij se sa shtetin e shqiptarëve dhe e fajësonte atë për atë që konsiderohej degjenerim i procesit për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

Në deklaratë nënvizohej fakti se kryeministri u tregua i paaftë për herë të dytë për të zgjedhur një President Republike të denjë e me staturë të vërtetë që kërkon ky post.

Në deklaratën e tretë atë post-zgjedhjes së Bujar Nishanit, zoti Nano theksonte se sot më shumë se kurrë shqiptarët kanë nevojë të bashkohen e presidenti i ri Bujar Nishani, sipas tij më tepër se kurrë duhet të simbolizojë unitetin kombëtar.

Me këtë rast ish-kryeministri Fatos Nano i ka shprehur urimet zotit Nishani duke vlerësuar në të njëjtën kohë procesin e votimit në Kuvend që sipas tij ka qenë plotësisht transparent. Në përfundim të deklaratës, thuhet se Levizja Nano e konsideron të mbyllur misionin e saj dhe se për më tutje do të njoftohet gjithcka tjetër.

Top Channel