Rritet kosto e prodhimit

10/06/2012 00:00

Biznesi shqiptar rrezikon të zhytet më thellë në krizën që vjen nga mungesave e likuditeteve.

Të dhënat e fundit zyrtare për pjesën e parë të vitit tregojnë se kosto e prodhimit është rritur 2.5% më shumë krahasuar me tre mujat e parë të një viti më parë.
 
Shtrenjtimi ka prekur gati të gjithë sektorët. Sipas INSTAT, kosto e prodhimit të energjisë elektrike u rrit me 2.7%. Kosto e prodhimit në industrinë e nxjerres u rrit me 1. 7%. Rritje të kostove ka edhe në industrinë përpunuese ku çmimi i prodhimit u rrit me 1. 8% ku rritje më të madhe ka rafinimi i naftës.

Nga vala e shtrenjtimit të procesit prodhues nuk kanë shpëtuar as kompanitë  ekportuese ku kosto e prodhimit vendas u rrit me 1.4%.

Në rrethana të zakonshme kjo rritje e kostove prodhuese për bizneset transferohej gati e gjitha në çmimin final të shitjes tek konsumatorët. Por kriza ndërkombëtare e cila ka ulur ndjeshëm konsumin i ka stepur bizneset të rrisin çmimet nga frika e rënies së shitjeve. Por bizneset vendase kanë nisur të përballen jo vetëm me rënien e shitjeve, por edhe atë të zvogëlimit së fitimit çka ka bërë që kriza e likuiditeve të marrë një tjetër përmasë edhe më të madhe.

Përveç kësaj, kompanitë shqiptare renditen për shkallën e ulët të produktivitetit duke bërë që ato të jenë pak konkurruese në tregjet ndërkombëtare. Rritja e kostove të prodhimit do të përkeqësonte më tej këtë tregues duke bërë që produktet shqiptare të jenë më pak të favorizuara në tregje e për pasojë duke e futur krizën në një shkallë tjetër spiraleje.

Top Channel