Një President i votuar apo i emëruar? Garë apo paracaktim?

09/06/2012 00:00

MOIKOM ZEQO – Motivi i Presidentit të ri të Republikës së Shqipërisë
është bërë substanca e mediave dhe e diskutimeve të furishme,
fantazmagorike dhe të pafundme si asnjëherë tjetër. Por një substancë e
rrëshqitshme, shpesh dhe kontradiktore. Çuditërisht bota e
jurisprudencës ka qenë më e heshtur se kurrë. Kushtetutshmëria është
esencialisht juridike.

Ahere ku është mea culpa e gjithë kësaj historie bizare, që vërtitet, rrotullohet, bën piruete në boshllëk? Dhe a ekziston vërtetë një mea culpa apo jo? Bëhet fjalë për një mea culpa historike, aspak të thjeshtë!

Pakti, për ndryshimet e bujshme dhe diletante, të befta dhe gati okulte, i bërë nga PS-ja dhe PD-ja për institucionin e presidentit dhe të Kodit Zgjedhor ka përcaktuar konceptualisht tërë Shqipërinë politike të përditshmërisë së sotme paradoksale. Kjo s’ka asnjë dyshim! Raporti kushtetues midis të emëruarve dhe të zgjedhurve u deformua. U prish dhunshëm dhe marrëzisht ekuilibri politik. Pra, nuk u kushtetutizua politika, po e kundërta u politizua skajshmërish Kushtetuta! Dhe ky është thelbi i thelbeve!

Paradigma është shtrënguese dhe klienteliste në mënyrë të pamëshirshme: “Doni të bëheni deputetë? Ju emërojmë sipas renditjes së listave ne kryetarët e partive! S’doni? Heshtni! “Kështu arrihet mjerueshëm edhe tek 140 numrat (deputetët e numrave të listave!) e Kuvendit. Pra parlamentarizmi nuk burimëzohet. Paracaktohet! Po kështu edhe postet qeverisëse etj.! Ky është një koncept providencial i një plotfuqishmërie abstrakte të kryetarëve të partive të mëdha kryesore! Partikracizëm i dyfishtë!

Ahere pse na duhet parimi kushtetues i patjetërsueshëm i votimit popullor dhe i zgjedhjeve të ndershme dhe të lira? Dhe në fund të fundit pse na duhet vetë liria? Demokracia qenka vetëm një përrallë? Një alibi? Një dinakëri propagande? Një utilitarizëm banal? Një utopi e paarritshme? Një “fiction”? Një simulacrum i realitetit dhe jo vetë realiteti? Një popull që voton listat e parapërgatitura a është kështu një popull?

“Sovrani” është kështu një Celiban shekspirian vetëm për të shërbyer? Një bashkësi jesmenësh? Ja ku të çon deformimi! Dhe kushtetutologët juristë heshtin? A kanë edhe ata një mea culpa? Çfarë është kjo heshtje? Vdekje e bardhë e kushtetutshmërisë demokratike? Apo një modus vivendi që mund të shndërrohet në një modus moriendi?

Kjo logjikë është në fakt antilogjika e “shpikjes” fatale të ndryshimeve kushtetuese (vetëkuptohet pa asnjë mea culpa!) Një ndryshim i gabuar bëhet predikat i një ndryshimi të dytë të gabuar. Presidenti nuk zgjidhet më me 84 vota, por emërohet me 71 vota. Po, po, nuk është një lapsus linguae! Zgjedhja dhe emërimi në këtë rast nuk janë fjalë dhe nocione të ndryshme, por sinonime qesharake. Janë një tautologji politike e mirëfilltë! Kush mund ta mohojë këtë osmozë? Numri 84 fliste për votim të presidentit (pavarësisht vështirësive – në këtë pikë kushtetutshmëria ngrihej dhe madje e sfidonte politikës partikraciste të çdo krahu!) Ja një atu e humbur pa mënd për demokracinë!

Numri 84 parakuptonte garën midis kandidatëve të ndryshëm. Numri 71 e zhduki, e zhbëri, e shkatërroi garën si institucion, si instrument kushtetues i domosdoshëm, jetik dhe afirmim i profileve, vlerave dhe dinjitetit! Nëse s’ka garë, pse duhet votimi formalizues? A është një votim i tillë votim i lirë? Presidenti emërohet nga poseduesit e ditës të numrit 71. Përralla e votimit është “providenca” e emërimit!

Kështu shpiket një nostalgji e shpifur për numrin 84 dhe për eufemizëm quhet “konsensus”. Që presidenti i emëruar të mbiquhet “konsensual”. Ah, mea culpa. Mea culpa!

Gara është procesi! Është substanca kushtetuese! Është konceptualizimi i votimit demokratik! Kushtetuta është gara, konkurrenca e formës dhe e përmbajtjes juridike. Mungesa e garës është monopolizim diktaturoid! Është jashtë demokracisë reale! Edhe nëse vetëshpallet brenda demokracisë virtuale!

Fatalizmi i PS-së është i pashpjegueshëm, fëmijëror. Arsyetimi dekorativ “se ne s’i kemi numrat, i ka PD-ja dhe LSI-ja, ndaj nuk propozojmë kandidat për president, por duhet të na pyesin, që të japin konsensusin për kandidatin si e drejtë e PD-së dhe LSI-së etj.”, është një mishmash kuptimor dhe qesharak.

Asnjë fjalë, asnjë kërkesë që të ketë garë, garë të vërtetë, garë kushtetuese, garë personalitetesh, garë me votim të lirë dhe të fshehtë, garë serioze! Pse? Për hir të konsensusit? Po a është konsensusi garë? Jo nuk është garë! Është ose jo aprovim pa garë! Gara është votim. Konsensusi s’ka nevojë për votim. Ahere pse Kushtetuta flet në mënyrë normative për një votim të lirë dhe të fshehtë? Ta flakim tej këtë votim të lirë dhe të fshehtë, për shkak të konsensusit? Pse të mos jenë kështu edhe zgjedhjet e përgjithshme politike vetëm konsensuale? Rroftë konsensusi! Vdekje demokracisë!

Kush e privon opozitën dhe PS të garojë me kandidatin përfaqësues? Ahere nëse nuk ka kandidatë të tillë PS pse mëton të ketë një të drejtë “deklarative” për të dhënë një miratim për kandidatët e të tjerëve?

Të tjerët paskan, madje me shumicë kandidatë të ngjashëm, kurse PS-ja është mungesa mjerane e kandidatëve. Ky diletantizëm është katastrofik në politikë! Diçka e pabesueshme!

Kali i betejës politike të PS-së duhet të ishte konstruktimi dhe ngritja më lart në reliev, pikërisht e garës kushtetuese me kandidatin konkret (jo hipotetik, imagjinar, onirik) të së majtës shqiptare. Iniciativa në politikë, thotë Maks Veberi, është vetë politikë!

Aksioni politik për presidentin në 2007-n ishte një betejë e konceptuar gabim dhe hutueshëm nga kreu i PS-së, pra një betejë e humbur pa asnjë kuptim. Arsyeja? Urrejtja groteske për kryetarin e parë e groteskëzon dhe kryetarin e dytë. Sipas paradigmës “o ai, o unë!” Personalja skualifikon politiken! Politikja inatizohet, satanizohet! Personalizohet!

Aksioni politik për presidentin në 2012-n dyfishon humbjen e të njëjtit humbës! (Humbësi nuk është thjesht një mandator singular, por e tërë opozita dhe partia më e madhe politike shqiptare, që është PS-ja!) Një spirale e dështimit të “merituar”, e diletantizmit të pafalshëm, e mungesës së vizionit të madh politik dhe e shndërrimit të politikës profesionale moderne të opozitës në një verbalizim të pafund të mërzitshëm, të lodhshëm, subjektiv, hamletian, pa frymëzim, pra një rezignatë vetjake e “rebelizmit adoleshent të dikurshëm”.

Rama anatemon Metën, pastaj bën figurën e djalit plëngprishës ndaj Metës. Ndaj Nanos ende krekoset, ose bën si i tillë (ah djali plëngprishës!) Në vend që të bëjë një hapje, nguroset në një mbyllje (vetëmbyllje!) Rama e ka një firmë (formale), por nuk ka fuqi konceptuale. Vendos të mos ketë një kandidat për president (pra të shkatërrojë garën presidenciale) që të mos ekzistojë Nano në politikë (sikur varet kjo gjë prej tij!?) Kjo do të thotë t’u besosh halucinacioneve vetjake.

Ndërkaq Nano e shënon një rekord mediatizimi dhe sensibilizimi në kah të simpatisë (popullaritetit) si asnjëherë tjetër, ndërsa Rama një refuzim në kah ironie dhe mosaprovimi publik si asnjëherë tjetër.

Mediatizimi është një lloj votimi sui generis, shumë më masiv se ai brenda kornizës së 140 numrave. Një pranim i fitimtarit presidencial në media (në opinionin publik!) është më parësor se sa pranimi i një humbjeje në rrafshin mekanicist kuvendor.

Të kuptosh këtë do të thotë të kuptosh politikën.

Ndërkaq nuk duhet harruar se në këtë histori do të ketë patjetër një president!

Presidenti do të jetë padyshim i emëruar (konsensual ose jo, e ç’rëndësi ka!) dhe nuk ka (nuk do të ketë) asnjë fitore reale dhe konceptuale të PD-së, as të tërë përbërësve të numrit fatidik 71, ose të më shumë votuesve ta pashmangshëm dhe të bindur numerikë. Gara presidenciale është më e rëndësishme se sa vetë presidenti!

Po mea culpa ku është? S’është asgjëkund!

Gazeta “Shqip”

Top Channel