Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta deklaroi për
mediat se vazhdojne përpjekjet për të gjetur një konsensus sa më të
gjerë me opozitën me qëllim zgjedhjen e kreut të ri të vendit.

Ilir Meta tundi këmbanën e alarmit, për kohën që sipas tij është e kufizuar. Por theksoi se mazhoranca do të përpiqet të gjeje 48 orët e ardhshme një konsensus me opozitën. Ky konsensus mund të arrihet gjatë një takimi të dytë Berisha-Rama, që pritet të realizohet të dielën.

“Unë besoj se gjatë ditë së sotme apo gjatë mbrëmje së sotme ne do të bëjmë konsultime si drejtues të partive të mazhorancës dhe shpresoj që gjatë ditës së nesërme të jetë të mundur që të realizohet edhe një takim i nivelit më të lartë, në mënyrë që të shkohet drejt një zgjidhje konsensuale për ditën e hënë”, tha Meta.

Pikërisht kërkimi i konsensusit ka bërë, sipas Ilir Metës, që të mos flitet për kandidatura politike. Por kreu i LSI-së nuk i përjashtoi kandidaturat politike, duke thënë se vendi ka mjaft politikanë të zotë që mund të ushtrojnë detyrën e Presidentit të Republikës.

“Nuk janë përjashtuar emrat politikë, për arsye të paragjykimeve të politikanëve të caktuar, absolutisht. Por është bërë një përpjekje për emra dhe profile që mund të gjenin më lehtë konsensusin”, tha Meta.   

Zgjedhja e një politikani në krye të shtetit, është perceptuar në fakt qysh në fillim të procesit si vullnet i mazhorancës për ta zgjedhur Presidentin vetëm me votat e saj. Tani, ky vullnet shprehet më pak, pas kërkesave të ndërkombëtarëve për një president konsensual. Sipas afateve maksimale që parashikon Kushtetuta, Presidenti, me apo pa konsensus, duhet të zgjidhet deri të hënën e ardhshme, më datë 17 qershor.
 

Top Channel