Meta: Keqardhje për Zaganjorin

09/06/2012 02:00

Ilir Meta ishte i pari që komentoi tërheqjen nga gara presidenciale te Xhezair Zaganjorit. Kreu LSI-s tha se kandidimi për president të z. Xhezair Zaganjori, e cila ka qenë një iniciativë tërësisht sovrane e tij dhe që konfirmon, edhe një herë, integritetin dhe personalitetin e tij dhe faktin që ai nuk e kërkoi këtë pozitë por iu kërkua për hir të një konsensusi të gjerë për të marrë postin më përfaqësues, atë të Presidentit të Republikës.

Kjo tërheqje theksoi Meta, meriton një vlerësim, të paktën nga ana ime dhe e Lëvizjes Socialiste për Integrim, dhe njëkohësisht është edhe një mesazh për të gjithë klasën politike për të reflektuar, për të bërë edhe ndonjë përpjekje tjetër për konsensus, por në fund të fundit, për t’i hapur rrugën zgjidhjes përfundimtare të këtij problemi ku sovrani mbetet parlamenti.

Duke komentuar edhe qendrimet e opozites z. Meta deklaroi se “Opozita ka humbur një rast të mrekullueshëm për të dhënë konsensusin e saj për këtë kandidaturë. Unë shpreh keqardhjen e thellë. Kërkesat që mazhoranca të propozojë një kandidaturë të ngjashme me atë të z. Zaganjori nuk mendoj se kanë qenë tepër solide, kur ne paraqitëm një kandidaturë tepër konkrete, që e kishte votuar në Parlament opozita e sotme dikur mazhorancë. Natyrisht që kjo çështje do të zgjidhet. Unë shpresoj përsëri që të ecet me përpjekje për konsensus por konsensusi dhe kapricot përjashtojnë njëra-tjetrën. Megjithatë, më të drejtpërdrejtë lidhur me ecurinë e mëtejshme do të jemi nesër, sepse kuptohet që ne jemi në një koalicion”, tha Meta.
 
Meta tha se ne do të konsultohemi dhe do të diskutojmë gjatë ditës së nesërme dhe pasnesërme dhe kështu me radhë. Megjithatë do të gjejmë një zgjidhej dhe parlamenti do të jetë sovran. Kjo është e sigurt.

Top Channel