Rama: Shumë pranë konsensusit

08/06/2012 00:00

Kyetari i Partisë Socialiste, Edi Rama shton shpresat për arritjen e një
konsensusi me mazhorancën në zgjidhjen e ngërcit presidencial në mënyrë
konsensuale. Sipas zotit Rama ekzistojnë të gjitha mundësitë nëse
arrihet fillimisht në ndërtimin e një kornize modalitetesh.

“Po ju them me sinqeritetin më të madh se jemi aq afër mundësisë për të bërë konsensus, sa do të ishte krejt e paimagjinueshme edhe një muaj më parë edhe gjatë të gjithë viteve, kur është kritikuar me të gjithë dozat e folklorit rreth e rrotull, sikurse kjo e faturës brenda natës, ndryshimi i Kushtetutës. Jemi të gatshëm të japim konsensus nuk kërkojmë të na japin konsensus, por është e vërtetë që ne kemi kërkuar që në radhë të parë të ndërtojmë një kornizë modalitetesh dhe jo ta kthejmë këtë proces, në një farsë ku opozita çon emra dhe natyrshëm emrat refuzohen nga shumica”, tha Rama.

Ky ishte deklarimi kryetarit të PS-së, pas përfundimit të votimit të tretë presidencial në parlament.

Marrja e statusit të vendit kandidat ishte kryefjala e përsëritur disa herë e Edi Ramës, në një lidhje direkte nga selia rozë, me emisionin ‘Top Story’.

Ndërsa lidhur me kandidimin e Fatos Nanos, Edi Rama u shpreh: “Nano u ofrua si një kandidat mbi palët dhe mes palëve, pas një investimi të bërë për një kohë të gjatë larg Partisë Socialiste dhe një përpjekje të qartë për të treguar, jo vetëm me fjalë por edhe me akte konkrete, që me Partinë Socialiste nuk e lidhte më cka e kishte lidhur më përpara. Ajo cka ne kemi thënë është krejtësisht koherente, nuk e kemi paragjykuar emrin e tij, në funksion të konsensusit, jo në funksion të një kandidature të vendosur njëanshmërisht, të cilën PS në parim nuk ka arsye ta vendosë për askënd, sepse po kërkojmë konsensus, dhe nga ana tjetër sigurisht që në rast se teorikisht kjo do të ndodhte, nuk do të ishte një kandidat i ynë. Kjo është shumë e qartë dhe shumë e thjeshtë”, tha Rama.

Edi Rama duke e vendosur veten në rolin e kryeministrit të ardhshëm të vendit, ka rikthesuar vështirësitë që ai do të ndeshet në bindjen e vendeve anëtare të BE-së, për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, nëse do të dështojmë për të tretën herë.

“Unë do të hyj në një garë dhe jam i sigurtë, që duke fituar, do të marr mandatin për të qeverisur si kryeministër i këtij i vendi dhe si kryeministri i këtij vendi, duke filluar nga qershori i vitit të ardhshëm, unë po ju them, që jam tejet i shqetësuar nga mundësia, që do të më duhet të qeveris bashkë me të tjerët, por si kryeministër një vend pa statusin e kandidatit, në një Europë të stërsëkëlldisur nga problemet e veta të brendshme, e cila do të vazhdojë ta shohë Shqipërinë me bishtin e syrit, por ju siguroj jo më vitin e ardhshëm”, tha Rama.

Top Channel