Presidenti, Zaganjori: Tërhiqem nga gara

08/06/2012 00:00

Kandidati i përzgjedhur nga mazhoranca për President të Republikës Xhezair Zaganjori deklaroi pas djegies edhe të raundit të tretë të votimit se ai nuk është më i disponueshëm për të kandiduar për president në raundin e katërt.

Zoti Zaganjori u shpreh se djegia e tre raundeve të para dhe debatet me të cilat u shoqërua emri i tij, treguan se ai nuk kishte konsensusin e opozitës. Zoti Zaganjori u shpreh se ky ishte një vendim personal dhe nuk ka patur asnjë ndërhyrje për këtë tërheqje.

“Nuk jam më kandidat për raundin e katërt, nuk pranoj që të jem kandidat për raundin e katërt. Për mua ka shumë rëndësi fakti, që opozita nuk ka besim tek unë dhe do të paragjykohet çdo vendimmarrje e imja, në një kohë që Shqipëria përballet me sfida të jashtëzakonshme, është reforma zgjedhore, janë zgjedhjet e vitit që vjen, reforma në drejtësi që duhet të bëhet, cështja e pranimit të Shqipërisë për të fituar statusin e vendit kandidat dhe me radhë. Në këto kushte paragjykimi unë deklaroj me bindje të plota dhe jam i sigurtë që analistët do të thonë se ka patur presione, ka patur takime…Nuk më vjen keq për asgjë, unë falenderoj ata që më propozuan, do të uroja që ky proces të mbyllej dhe të zgjidhej një kandidat i përshtatshëm”, tha Zaganjori.

Me këtë deklaratë të zotit Zaganjori hapen sërish shumë skenarë dhe mundësi për një konsensus mes mazhorancës dhe opozitës, por edhe të një vendimi ekstrem për një kandidaturë të njëanëshme politike nga Partia Demokratike. Orët dhe ditët në vijim, konsultimet dhe takimet do të qartësojnë se në cilën rrugë do të ecin palët.

Zoti Zaganjori u shpreh se vendimin nuk e ka komunikuar me asnjeri para se ta bente publik ne media, pasi ai nuk ishte një kandidat zyrtar.

Standardi Zaganjori, skenaret: President konsensual apo politik?!

Tërheqja e zotit Zaganjori ka gjetur të papërgatitur këdo, palët të cilat ishin ndeshur në Kuvend vetëm pak orë më parë për konsensusin dhe emrin e tij, ata që e kanë kundërshtuar dhe ata që e kanë mbështetur.

Edhe Ambasadorin Amerikan ndoshta që në mënyrë demostrative, që ndoshta dha një sinjal për mungesën e konsensusit dhe dështimin e paralajmëruar edhe të seancës së tretë, u largua nga Kuvendi ende pa nisur seancë për raundin e tretë.

Tërheqja e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese tashmë hap edhe skenarë të tjerë në politikën shqiptare, ku dy më të mundshmit janë ato të një konsultimi të gjërë, jo vetëm brenda mazhorancës për gjetjen e një konsensusi për një kandidat sa më të pranueshëm, ose për një zgjidhje të njëanëshme me një kandidaturë politike nga drejtuesit e Partisë Demokratike e që natyrisht nuk do të plotësojë kushtin e konsensusit ndoshta jo vetëm me opozitën, por edhe me LSI-në.

Në një kohë që dorëheqja e zotit Zaganjori, figurativisht ishte akti i parë dhe i fundit i tij si President, një akt qytetarie dhe që vendosi një standard të rëndësishëm: se si duhet të jetë kandidati tjetër për president.

Zoti Zaganjori u shpreh se tërhiqej nga zgjedhja e njëanëshme pasi do të ndjehej i paragjykuar nga opozita në çdo vendimmarrje në një kohë që vendi përballet me reforma të mëdha dhe sfida shumë të rëndësishme për integrimin. Pra, çdo zgjidhje dhe zgjedhje tjetër duhet të jetë mbi këtë standard.

Meta vlerëson Zaganjorin: Opozita e paragjykoi

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta doli në një konferencë për mediat, ku mbrojti vlerat e kandidaturës së vetëtërhequr të mazhorancës për president, Xhezair Zaganjorit dhe kritikoi opozitën, e cila sipas tij e paragjykoi atë si kandidaturë.

“Dështimi i votimit nuk është përgjegjësi e LSI-së. LSI u përpoq gjatë javës për të gjetur konsensusin, por opozita me kandidaturën e Zaganjorit humbi rastin ideal për konsensus. Tërheja e Zaganjorit tregon integritetin e tij personal”, deklaroi kreu i LSI-së.

Zoti Meta tha se LSI dhe mazhoranca do të bëjë gjithcka që vendi të ketë një president brenda javës së ardhshme.

Top Channel