Pas djegies edhe të raundit të tretë dhe tërheqjes së Xhezair Zaganjorit, Fatos Nano beson, më shumë se kurrë, se tani ka ardhur momenti i tij.

Nëpërmjet një deklarate për shtyp, zoti Nano thotë se tani vendi rrezikon seriozisht që të mos marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian.

Duke cituar At Anton Harapin, kur fliste për “adhetarizmin si dashuri e sinqertë për njerëzit”, Fatos Nano i bën thirrje të gjithë deputetëve që ta dëshmojnë atdhedashurinë e tyre me atë që ai e quan “dashuri vepronjëse”.

Më fjalë të tjera, ta votojnë zotin Nano si kandidatura që do t’i jepte zgjidhje ngërçit politik në vend. Deklarata e Fatos Nanos përmban në këtë sens tre thirrje të përsonalizuara për Edi Ramën, Sali Berishën dhe Ilir Metën.

Ai u kujton tre krerëve politikë se, nëse zgjidhej president do të përkushtohej për t’i zgjidhur konfliktet, e jo për t’i shtuar ato.

Deklarata përmban edhe një vlerësim për dorëheqjen e Xhezair Zaganjorit, që Fatos Nano e përshëndet si akt të përgjegjshëm dhe atdhetar, prej dinjitari shtetëror.

Një ditë më parë, lëvizja Nano për President, nëpërmjet një komunikate për shtyp adresuar mediave, i bëri thirrje Partisë Socialiste që të jepte mbështetje dhe të kandidonte kryetarin e saj historik për rolin e kryetarit të shtetit.

Ndërsa më herët ai komunikoi se do të largohej nga gara për president vetëm nëse zgjidhej dikush tjetër dhe paralajmëroi kthimin e tij në Partinë Socialiste, me argumentin se, “ajo po lëngon”. 

Të njëjtën ditë, një grup prej 26 intelektualësh u bënë thirrje krerëve të grupeve parlamentare që të mbështesnin kandidaturën Fatos Nanos, duke e vlerësuar si personin e duhur për postin e Presidentit të Republikës

Top Channel