Top Story, presidenti i ri…

07/06/2012 00:00

Të premten në orën 10:00, në Kuvend do të mbahet raundi i tretë i votimit, i fundit sipas Kushtetutës që kërkon 84 vota për zgjedhjen e presidentit të ri. Debati politik është shndërruar në një teatër absurd, debat i fortë me dy kandidatë jo zyrtarë, Xhezair Zaganjori propozuar nga mazhoranca dhe i vetëofruari, Fatos Nano. Nano ka paralajmëruar furtunë në gjirin e opozitës nëse nuk kandidohet për në krye të shtetit, ndërsa Zaganjori është kthyer përmes zërit të LSI-së në një bllokues të një konsensusi mes dy palëve.

Cfarë do të ndodhë të premten? Sa janë mundësitë e arritjes së një konsensusi mes mazhorancës dhe opozitës, pak orë para çeljes së votimit? Këto e të tjera pyetje u munduan t’u japin përgjigje deputetë e përfaqësues të partive parlamentare, aktoret kryesore në zgjedhjen e presidentit të vendit në takimin e së enjtes në Top Story të gazetarit Sokol Balla.

Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu akuzoi PS-në se refuzon të marrë pjesë në proces. Ai tha se socialistët kanë edhe pak orë për të ndryshuar mendje e për t’iu bashkuar procesit, për të qenë faktor në zgjedhjen e presidentit: “Në orën 09:00 mblidhet Komisioni i Ligjeve. Nesër kërkohet të votohet me 84 vota. Gjatë kësaj periudhe qendrimi i PS ka qenë kundër, jo pjesëmarrës. Ne shpresojmë që në këto pak orë PS të ndryshojë qendrim, nëse jo pas kësaj nuk  duhet më bashkëpunimi i PS-së, pas kësaj mazhoranca mund të zgjedhë vetë presidentin pa patur nevojë për opozitën. Mazhoranca ka qendrimet e saj, ka vizionin e saj. Ky nuk është problem i mazhorancës, por i opozitës, qendrim i mbyllur i saj. Kandidatura politike është më e përshtatshme por mungesa e një figure të tillë, është një handikap që u krijua pas qendrimit bllokues të PS, e cila as pranon dhe as jep emra”, tha deputeti Shehu.

Ndërsa deputeti socialist, Eduard Shalsi Shalsi vlerësoi se kandidatura e Xhezair Zaganjorit është vërtet konsensuale, por vetëm e mazhorancës: “Për një vit me radhë kemi një qendrim të kryeministrit për një kandidaturë politike nga PD. Vetëm disa ditë më parë, Berisha u tërhoq nga ky pozicion dhe deklaroi që po; është gati t’i ofrojë vendit një president konsensual. Disa ditë më parë u deklarua se Zaganjori është kandidaturë konsensuale, por vetëm brenda mazhorancës. Ndërkombëtarët kanë artikuluar qartë që Shqipëria të bëjë një hap përpara për marrjen e statusit duhet të miratojë një president me pëlqimin e palëve të përfshira. Mazhoranca u tërhoq, për t’u përshëndetur, por nuk është e mjaftueshme për presidentin konsensual, duhet konsensusi edhe i palës tjetër”.

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama njohu rëndësinë e procesit të zgjedhjes së presidentit për proceset integruese të vendit, dhe për marrjen e statusit të vendit kandidat: “Integrimi nuk ka pse të fshihemi që procesi ka një vlerë të vecantë në tërësinë e rekordeve që duhet të përmbushë Shqipëria. Mazhoranca kuptoi nevojën dhe domosdoshmërinë e vlerës së konsensusit. Mazhoranca iku nga emra partiakë për të mbërritur tek një emër që ofron mundësi konsensusi. Nuk ofrojmë emra që na është lënë të kuptohet që PS s’i pranon duke paraqitur një kandidat, emri më i mirë i mundshëm i ofertës së mazhorancës përballë opozitës. Mazhoranca ofron mundësinë që opozita të bëhet palë dhe pjesë e procesit”, tha zoti Rama.

Ndërsa kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, i njohur si mbështetës i kandidaturës së Nanos rivlerësoi edhe njëherë se kandidatura e tij është një kandidaturë e parametrave kushtetuese dhe politike sipas Kushtetutës dhe fajësoi për ngërcin e krijuar ndryshimet kushtetuese të 2008-ës. “Jemi këtu sot për shkak të disa ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008. Tre ndryshime, mocionet e mosbesimit, zgjedhja e presidentit dhe reforma zgjedhore. Nëse sot nuk do të kishim këto ndryshime, do të ishim tek konsensusi i detyrueshëm për presidentin. PD dhe PS nuk duan që të kenë një personalitet që mund të jetë pengesë në mënyrën e të ushtruarit të qeverisjes së tyre. Nëse ps nuk ka kandidaturë, mund të quhet gjithcka, por jo politikë. Qytetarët duan shpresë, dhe shpresën e kanë tek opozita dhe opozita duhet të jetë serioze. Nano me votim të fshehtë konkuron jo vetëm Zaganjorin, por edhe një kandidaturë të mundshme politike të PD-së siç mund të jetë zonja Topalli. Nëse PS nuk kandidon Nanon dëshmon mungesë kurajoje politike dhe do i jepte Nanos që të kërkonte atë që theksoi, një parti që t’u përgjigjet sfidave. Këtu do të nisin problemet për PS-në kur nuk i duhen telashe të tilla, një Nano duke kundërshtuar lidershipin e PS-së dhe mënyrën e të bërit opozitë. Kjo do të vinte në pikëpyetje ardhjen e PS në pushtet në vitin 2013”, deklari zoti Dule.

Por pretendimin e kreut të PBDNJ-së e kundërshtoi deputeti socialist, Eduard Shalsi i cili tha se nëse PS do të futej në garë me një emër, vendi do të futej në një vorbull politike pa asnjë përfitim duke ditur, sic tha ai, që përballë opozitës është Berisha, një person aspak kompromis.

Sekretari i Përgjithshëm i LSI Luan Rama dhe se mazhoranca nuk ka formalizuar kandidaturën e saj me përpjekjen se do të arrihet një konsensus me opozitën. Por, sic tha ai, opozita është e papërgatitur për procesin e zgjedhjes së presidentit.

Ndërsa deputeti demokrat, Tritan Shehu, shtoi se mazhoranca ka patur dhe ka durimin për të marrë konsensusin e opozitës, por se kjo e fundit, sipas tij, po bën një përpjekje për të futur vendin në një proces të ngadalësuar.

Në mbyllje, deputeti socialist, Shalsi la të hapur mundësinë e konsensusit për një emër, por vetëm nëse mazhoranca ka vullnet. Vetëm kështu, sipas tij, ekziston mundësia që të zgjidhet një president konsensual.
Për kreun e PBDNJ-së, statusi i vendit kandidat i vendit do të merret, me apo pa president konsensual. Zoti Dule tha se statusi do të jepet, jo se vendi e meriton.

Top Channel