Pas një dite të ngjeshur  takimesh me politikanët më të lartë në vënd, Drejtori Përgjithshëm për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Stefano Sanino duke dalë nga Ministria e Integrimit nuk pranoi të komentojë rreth tyre.

Ky ishte i vetmi xhest kur u pyet nga Top Channel se cili ishte konkluzioni kësaj vizite, e katërta për këtë vit për Saninon në Tiranë, ku ndryshe nga tre të parat dedikuar tërësisht integrimit, kësaj here fokusi bashkëbisedimeve ishte zgjedhja e presidentit të ardhshëm.

Serinë e takimeve zoti Sanino e nisi me Kryeministrin Berisha duke ngulmuar në domosdoshmërinë e vijimit të dialogut mes palëve për daljen nga ngërçi që ka mbërthyer procesin e zgjedhjes së kreut të ri të shtetit.

Zyra e shtypit në Kryeministri në një deklaratë për median thotë se “Në takim u bisedua edhe për procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Kryeministri Berisha theksoi, se procesi që po zhvillohet është në përputhje të plotë me gërmën dhe frymën e Kushtetutës, i bazuar në negociata dhe konsultime. Ai  shprehu besimin se procesi që po zhvillohet në Parlament dhe kandidatura e ofruar nga mazhoranca, përmbush më së miri kushtet dhe kriteret që ky proces të përmbyllet me zgjedhjen e një Presidenti që siguron konsensus dhe mbështetje të gjërë.

Stefano Sanino së bashku me ambasadorin e BE-së Etore Sekui më pas iu drejtuan Selisë Rozë ku u takuan me kreun e opozitës Edi Rama, i cili në takim shoqërohej nga deputetët Bushati dhe Gjiknuri.

Bashkëbisedimi ka nisur me një batutë të Saninos drejtuar Ramës kur i tha se ai vazhdonte të dukej i ri…As Rama dhe as Sanino nuk janë prononcuar për median pas takimit.

Në Ministrinë e Punëve të Jashtëme gjatë takimit me zv/kryeministrin Edmond Haxhinasto, sic njofron zyra e shtypit e kësaj ministrie u dhanë mesazhe të qarta se procesi i integrimit duhet të jetë një proces gjithëpërfshirës dhe që palët të dalin mbi interesat partiake.

Selia e LSI-së ishte ndalesa e radhës për Drejtorin e Përgjithshëm të Zgjerimit në BE, ku për më shumë se 45 minuta ka bashkëbiseduar me Ilir Metën.

Ndërsa me Ministren e Integrimit, Majlinda Bregu zoti Sanino bisedoi mbi ecurinë e zbatimit të Planit të Veprimit për Adresimin e 12 prioriteve të Opinionit të Komisionit Europian për aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim.

Ky nuk ishte takimi i fundit i zotit Sanino pasi në zyrat e BE-s i dërguari i komisionerit Fyle mblodhi në një takim konsultativ të gjithë ambasaorët e vendeve të BE-së të akredituar në Tiranë.

Shumë takime, bisedime pa fund, por pa asnjë konkluzion nga Sanino se cfarë u arrit, përvec një ngritje duarsh lart.

Meta: Jo Nano President

Pas takimit me zotin Sanino, kryetari i LSI-së, Ilir Meta deklaroi se nuk e mbështet Fatos Nanon për president. Edhe pse dha  vlerësime për kontributin dhe figurën e zotit Nano, Meta tha se LSI ka një marrëveshje me PD-në të cilën do e zbatojë në zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

“Unë jam i apasionuar pas ping-pongut dhe zoti Nano gjithashtu luan shumë mirë ping-pong e në këtë drejtim, lidhur me kandidaturën e tij, unë kam bërë vlerësimet e mia publike pas takimit që kam bërë me të, bashkë me zotin Luan Rama dëgjuam me shumë vëmendje dhe natyrisht ai ka kontribuar në gjithë këtë proces për ta bërë atë sa më publik dhe të debatueshëm, kjo është një gjë pozitive, por unë kam theksuar gjithmonë që LSI do t’u qendrojë marrëveshjeve. Sic e dini, LSI ka një marrëveshje që nga shtatori 2009 edhe për Presidentin, për të realizuar në radhë të parë një konsensus me Partinë Demokratike, kështu që në këtë drejtim LSI i qendron kësaj marrëveshje, pavarësisht nga vlerësimet e saj për kandidatura të tjera”, deklaroi kreu i LSI-së, Ilir Meta.  

Top Channel