Nano i drejtohet socialistëve: Më kandidoni

07/06/2012 21:20

Lëvizja Nano për President, nëpërmjet një komunikate për shtyp adresuar mediave ditën e enjte, i bëri thirrje Partisë Socialiste që të japë mbështetje dhe të kandidojë kryetarin e saj historik për rolin e kryetarit të shtetit.

Ndërsa në krye të deklaratës veçohej se për shkak të ngërçit aktual politik rrezikon të humbet për të tretën herë radhazi statusi i vendit kandidat për Shqipërinë, theksohej se Nano është figura më e përshtatshme për një zgjedhje konsensuale, ndërsa shprehej çudia e Lëvizjes për qëndrimin e socialistëve, të cilët kanë thënë se nuk do të paraqisin një kandidat të tyrin për president.

”Fatos Nano e respekton të drejtën e PS për të mbajtur qëndrime të qarta partiake dhe të motivuara nga interesa dhe kalkulime të logjikës e lojës politike për pushtet, por nuk mund të  mos shprehë mosmirëkuptimin e tij për këtë mendësi jodemokratike e joperëndimore bllokuese të garës dhe të konkurencës së lirë. Fatos Nano tërheq vëmendjen se kryetari i Partisë Socialiste, lideri i opozitës, nuk mundet të mos kuptojë se ka ditë, ka momente kur vendi, shoqëria shqiptare dhe kombi janë më të rëndësishëm sesa Partia, sesa cilado parti”, shkruhej në komunikatën për shtyp.

”Fatos Nano, duke shprehur e ritheksuar edhe njëherë mirëbesimin e tij, u bën thirrje kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, kryetarit të Grupit Kuvendor të PS, Gramoz Ruçi dhe drejtpërdrejtë të gjithë deputetëve të Grupit Kuvendor të PS që të marrin vendime të drejta, në tejkalimin e këtij ngërçi politik të stërzgjatur, duke i dhënë Shqipërisë presidentin më të mirë”, vazhdonte deklarata.

Pikërisht duke qëndruar tek arsyetimi i presidentit më të mirë pë vendin, “LNP”-ja vlerësonte se është pikërisht Nano ai që do të ishte kreu potencial i shtetit më i mirë, për shkak të profilit të tij të lartë politik, drejtimit të socialistëve për 15 vjet me radhë dhe vetë aftësive të demonstruata të Nanos si burrë shteti.

”Është në nderin tuaj si deputetë të PS, por është edhe në nderin e PS e të drejtuesve të saj aktualë që ta mbështesin kandidimin e Fatos Nanos për President te Republikes. Eshtë një mundësi e madhe për PS që e ka pranë saj, pjesë të historisë së saj, në traditën e saj ofertën më të mirë për presidentin më të mirë. Fatos Nano i ka të gjitha mundësitë të jetë president konsensual, pra i mirëbesuar, bashkëvendosur dhe bashkëvotuar nga shumica dhe opozita ose president i zgjedhur nga një garë e lirë dhe e ndershme me rregulla e vullnete konsensualisht të bashkëvendosura për ta lejuar këtë garë si të tillë. Mbeshtesni Fatos Nanon për president që ta rrisni PS duke e lartësuar presidentin”, mbyllej komunikata, që gjithashtu përfshinte një falenderim për Stefano Sanninon, të dërguarin e komisionerit të BE-së për zgjerimin, Stefan Fule në Tiranë.

Gjatë së enjtes, Sannino zhvilloi një sërë takimesh me të gjithë aktorët e mëdhenj të politikës në vend dhe ambasadorët e BE-së në Tiranë, duke lënë për një moment në harresë çështjen e integrimit, për t’u fokusur eksluzivisht tek çështja e presidentit.

Top Channel