Nano: Iki kur të zgjidhet presidenti

06/06/2012 00:00

Pas tre ditësh komunikimi nëpërmjet deklaratave i vetëofruari si
kandidat për president Fatos Nano i është rikthyer takimeve publike.

Për rreth 60 minuta Nano është takuar me ambasadorin e SHBA-s, Alexandër Arvizu, i cili në fund të takimit, nuk u prononcua kur u pyet nga Top Channel, se cfarë kishte prodhuar ky takim.

Ndërsa Fatos Nano deklaroi se bashkëbisedimi me z.Arvizu ishte në vazhdën e kontakteve, me përfaqësuesit e rëndësishëm të komunitetit euro-atllantik, për të shkëmbyer cdo informacion të nevojshëm,që të arrihet zgjidhja e sfidës presidenciale.

Ish-kryeministri nuk dha një përgjigje direkte, kur u pyet nëse do të jetë kandidat në raundin e tretë të votimit presidencial.

“Një zgjidhje e pranueshme demokratike është edhe një garë midis përfaqësuesve të të dy palëve. Kur nuk është i mundur një konsensus i plotë dhe po flas për situatën në të cilën ndodhet vendi, ka një konsensus për zotin Zaganjori  të maxhorancës, i cili nuk përfshin konsensusin e opozitës.Ka një kërkesë të opozitës për të ndryshuar ofertën nga maxhoranca që edhe ata të japin konsensus, siç ka edhe një kërkesë të maxhorancës për PS që të paraqesë kandidatën e saj. Në qoftësë konsensusi është i pamundur, është krejt pjesë e lojës demokratike është një zgjidhje kushtetuese edhe një garë, midis përfaqësuesve të dy palëve. Unë do të largohem nga gara, me të njëjtën qetësi dhe dashamirësi me të cilën hyra , ne momentin kur do të zgjidhet presidenti i ri”, tha Nano.

Si një lojë kungulleshkash i ka cilësuar Nano zërat për një mosmbështetje nga LSI e Ilir Metës, pervec Edi Rames.

“Kjo besoj se nuk duhet të merret seriozisht pra një lojë kungulleshkash midis emrave Rama dhe Meta, që s’po arritkan dot në një mendim për kandidaturën time. Po e quaj lojë kungulleshkash, sepse çështja për të cilën po flasim është shumë e rëndësishme sesa interesat që mund të përfaqësojnë Rama dhe Meta në politikën shqiptare.Në rast se është krejt i mundshëm regjistrimi me 20 firma unë nuk do të dëshiroja që opozita ta përdorte e provokuar ndoshta këtë gjë për të bojkotuar seancën. Nuk duhet që vendi të rikthehet në zhvillimet negative të paktën në ato që njohim në 2007-ën”, tha Nano.
 
Nëse Fatos Nano do të kalojë me sukses hapin e parë të mbledhjes së 20 firmave propozuese si kandidat për t’u votuar, ai shprehet i sigurte se e fiton garen.

“Nëqoftëse ka një garë të lirë dhe të ndershme më lejoni të them se unë jam optimist që mund ta fitoj atë”, tha Nano.

Por cila do të jetë e ardhmja politike e Fatos Nanos nëse ai del i humbur nga gara presidenciale? Sipas tij, përsëri në PS.

“Natyrisht që unë jam në politikë.Por mos harroni se PS është partia ime e zemrës dhe nëqoftëse ajo do të vazhdojë të lëngojë, siç po vuan,unë do t’i kthehem asaj me gjithë zemrën”, tha Nano.

Ndërkohë gjatë këtyre ditëve Nano ka komunikuar me publikun nëpërmjet deklaratave për shtyp. E fundit ishte ajo e së martës pasdite, nëpërmjet të cilës prezantoheshin detaje të platformës drejtuese të presidencës nëse atij do t’i realizohet ambicja për të qenë në krye të shtetit.

Nano thotë se “nuk ka tirani e dhunë më të rëndë për jetën dhe shpresën e qytetarëve se sa dhuna dhe tirania e institucioneve, sidomos ajo e institucioneve të drejtësisë. Kjo dhunë demonstrohet si shpërfillje, mosveprim, dekadencë, korrupsion, vonesë, zvarritje apo arrogancë,” thuhet në një deklaratë të lëshuar nga “Lëvizja Nano për President”.

Top Channel