Shqipëria nënshkroi me Bashkimin Europian marrëveshjen kuadër për pjesëmarrjen në operacionet ushtarake dhe civile të BE-së për menaxhimin e krizave.

Marrëveshja heq pengesën e negociatave rast pas rasti për pjesmarrjen e vendit në një mision të caktuar dhe mundëson përcaktimin paraprak të detajeve mbi: përgjegjësitë, statusin e personelit, zinxhirin e komandimit, e kontributin financiar, që mbulohet nga vendi pjesmarrës.

“Kjo marrëveshje do të rrisë kapacitetet shqiptare që të jenë sa më të përputhshme me këto kontribute. Dhe kjo i hap rrugën edhe nënshkrimit të marrëveshjeve të tjera, siç është ai për shkëmbimin e informacioneve sekrete”, tha Minstri i Jashtëm shqiptar, Edmond Haxhinasto.

“Me këtë marrveshje të re, ne kemi një kuadër tashmë për pjesmarrjen e mundshme të Shqipërisë në të ardhmen në një gamë të plotë operacionesh ushtarake, apo misionesh civile, nën drejtimin e BE-së, kur kjo të jetë e mundur, dhe përfaqëson një hap përpara në bashkëpunimin e strukturuar mes Shqipërisë dhe BE-së në fushën e sigurisë. Mendoj se do të mundësojë përfshirjen pa pengesa të Shqipërisë në të ardhmen në misionet e menaxhimit të krizave, e për rrjedhojë do të shmangen vonesat e panevojshme për rastet kur Shqipëria ftohet dhe pranon të marrë pjesë”, tha nga ana e tij, Pierre Vimont, Sekretar ekzekutiv i përgjithshëm i EEAS, BE.

Shqipëria merr pjesë aktualisht në disa misione të BE-së, si në Bosnjë- Hercegovinë, në Republikën e Afrikës Qëndrore,  dhe në Chad, ku vlen të kujtohet se kjo pjesmarrje u zvarrit gjatë për çështje financiare. Ndërsa marrëveshja e sotme ishte parashikuar të nënshkruhej më 23 maj të vitit 2011, kohë kur u refuzua për shkak të situatës së përkeqësuar në vend pas ngjarjeve të 21 janarit dhe zgjedhjeve lokale të majit.

Përgatiti:
Arta Tozaj

Top Channel