Fatos Nano vijon të komunikojë me publikun nëpërmjet deklaratave për shtyp duke prezantuar detaje të platformës drejtuese të presidencës nëse atij do t’i realizohet ambicja për të qenë në krye të shtetit.

Nano thotë se “nuk ka tirani e dhunë më të rëndë për jetën dhe shpresën e qytetarëve se sa dhuna dhe tirania e institucioneve, sidomos ajo e institucioneve të drejtësisë. Kjo dhunë demonstrohet si shpërfillje, mosveprim, dekadencë, korrupsion, vonesë, zvarritje apo arrogancë,” thuhet në një deklaratë të lëshuar nga “Lëvizja Nano për President”.

“Kjo lloj dhune, vijon deklarata, prek drejtpërdrejt qytetarët, të varfërit, të dobëtit, të pamundurit për shkak të kufizimeve financiare, fizike apo sociale. Drejtësia i jep kuptim lirisë, demokracisë dhe zhvillimit. Drejtësia e perceptuar si tirani shpërfilljeje apo si drejtësi e vonuar, thotë Nano, me pak fjalë si drejtësi e munguar, është një tregues i trishtë dhe i drejtpërdrejtë i nivelit të lirisë, demokracisë dhe zhvillimit që kemi në vend,”.

Deklarata,  ngjan si një plaftormë politike për një rikthim të mundshëm të Nanos në poltiken aktive.

“Nëse Fatos Nano do të jetë President Republike ai synon të jetë ushtrues i një Presidence sipërmarrëse, negociatore, nxitëse dhe kërkuese e një reforme të thellë, qelizore dhe gjithëpërfshirëse në drejtësinë shqiptare”, theksohet në deklaratë.

“Kërkohet të dëshmohemi të aftë për të prodhuar zgjidhje dhe se e meritojmë të bëhemi një vend i denjë anëtar i BE-së”, thuhet në deklaratën e ish-kryeministrit të vendit, i angazhuar së fundmi për t’u rikthyer në politikën shqiptare si kryetar i shtetit.

Ende nuk ka një kandidaturë zyrtare për president të ardhshëm të vendit, përjashto këtu gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, Xhezair Zaganjori që mbështetet nga mazhoranca, por jo nga opozita e cila i mëshon procesit parimor, që sipas saj duhet të sjellë një figurë konsensuale në krye të vendit për të mos humbur për herë të tretë statusin e vendit kandidat në BE.

Top Channel