Brukseli: Integrimi pas progresit

05/06/2012 00:00

Gjatë takimit në Bruksel me homologun belg, zëvendëskryeministri dhe
Ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto i vlerësoi në nivelin më të mirë
marrëdhëniet dypalëshe, ndërsa Didier Reynders e cilësoi Shqipërinë një
vend të sigurtë për problematikën e azilit.

“Ne rishikuam axhendën dypalëshe dhe arritëm në përfundimin se mardhëniet tona janë në nivelin më të mirë, dhe tani kemi sfidën për të punuar në terma konkretë për të identifikuar potencialet ekonomikë dhe tregëtarë që duhen zhvilluar më tej për të tërhequr interesin e investitorëve belgë”, tha ministri i Jashtëm shqiptar, Haxhinasto.

“Sigurisht që ne do ta mbështesim kandidaturën, e sigurisht që për këtë duhet të vazhdojmë të shohim progrese të realizuara në mënyrë konstante. Po marr një shembull të vetëm, Belgjika e ka njohur Shqipërinë si vend të sigurtë në kuadrin e politikës tonë të azilit, një shenjë kjo shumë e qartë e një zhvillimi pozitiv”, tha ministri belg Reynders.

Në një komunikatë për shtyp të lëshuar pas takimit, ministri i Jashtëm belg thekson se e ardhmja e Shqipërisë është në BE, gjë që supozon kryerjen e reformave të nevojshme dhe përputhjen me kriteret për anëtarësim.

“Inkurajova forcat politike shqiptare të zhvillojnë procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës në një klimë konstruktive. Ky proces duhet të dëshmojë mirëfunksionimin e institucioneve demokratike në Shqipëri dhe të mundësojë zgjedhjen e një kandidati që favorizon Unitetin Kombëtar. Nënvizova gjithashtu rëndësinë që Belgjika i kushton fushave të respektimit të të Drejtave të Njeriut dhe të Shtetit të së Drejtës”, theksohet në komunikatën për shtyp.

Pas shumë vitesh marrëdhëniesh dypalëshe, sot zhvillohet Forumi i parë i Biznesit mes dy vendeve në Bruksel. Sipas ministrit belg, interes përbëjnë sektorët e bujqësisë, tekstilit, energjisë së rinovueshme dhe trajtimit të ujërave. Dy ministrat nënshkruan edhe një protokoll bashkëpunimi mes ministrive të Jashtme, për të rritur nivelin e këshillimit dhe përcjelljes së përvojës evropiane.

Pergatiti: Ernest BUNGURI 

Top Channel