BB: Rritja ekonomike 1.6 përqind

05/06/2012 00:00

Banka Botërore deklaroi se ka ulur vlerësimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë gjatë këtij viti në vetëm 1.6 përqind.  Pas publikimit të raporti të zhvilimit ekonomike për Europën Jug-lindore,  Drejtoresha e Bankës për Shqipërinë Ksenia Lvovski, në një intervistë për Top Channel, parashikon se viti 2012 do jetë i vështirë duke shpjeguar dhe arsyet.

“Situata në Europë vazhdon të jetë e përkeqësuar, reçesioni vazhdon dhe turbulencat po ashtu, ka rreziqe në rritje për një dalje të Greqisë. Në këto kushte nuk është çudi që ekonomitë e vogla dhe të hapura të Europës Jug-lindore të përballen me kohë të vështira dhe ngadalësim të ekonomisë”, thotë zonja Lvovski.

Por çfarë do të thotë një rritje në nivele kaq të ulëta për Shqipërinë dhe si i prek ajo qytetarët?

“Është 2 apo 1.6 apo 3 përqind, nuk ka ndonjë ndryshim të madh. Është një rritje e dobët dhe e pamjaftueshme për të luftuar varfërinë dhe papunësinë. Një rritje e ngadaltë nuk mund të jetë një rritje që shkon për të varfërit. Pikërisht për këtë arsye, prioriteti kryesor i Shqipërisë duhet të jetë mbrojtja për të varfërit”, përgjigjet Drejtoresha e BB-së për Shqipërinë.

Zonja Lvovski  thotë se në këto kohë të vështira vende si Shqipëria kanë pak mundësi për të reaguar për shkak se qeveritë nuk kanë hapësira fiskale dhe para. Me shqetësim Banka Botërore vëren këtë radhë edhe borxhin që qeveria ka krijuara ndaj bizneseve me detyrimet e papaguara.

“Vitet e fundit ka disa detyrime të prapambetura ndaj sektorit privat, nëse bizneset nuk paguhen, është e qartë se preket aftësia e tyre për të vazhduar aktivitetin. Ky ka qenë edhe një nga faktorët, ndonëse jo i vetmi, që ka rritur kreditë e këqia në banka. Disiplina fiskale duhet të jetë më thelbësore se sa numrat, sepse është e rëndësishme që defiçiti të mbahet në 3 përqind, por është gjithashtu e rëndësishme që të ndalet krijimi i borxheve në të ardhmen”, deklaron zonja Lvovski.

E gjendur në vështirësi financiare qeveria është duke negociuar me Bankën Botërore për një kredi prej 300 milionë dollarë si mbështetje buxhetore. Negociatat vazhdojnë prej disa muajsh, dhe në këtë pikë zonja Lvovski ka një mesazh për qeverinë.

“Pritet që së shpejti qeveria të fillojë rishikimin e buxhetit. Kjo është diçka që ne e kemi diskutuar. Pas këtij rishikimi ne do të jemi më të aftë të kuptojmë më mirë se sa shpejt mund të lëvizim me asistencën tonë”, përfundon drejtoresha Lvovski.

Raporti i BB: Ekonomitë e rajonit  do të varen nga Greqia

Raporti i fundit i Bankës Botërore për zhvillimet ekonomike në Europën Jug-lindore vëren se vendet e rajonit po përballen me një ngadalësim të konsiderueshëm të rritjes ekonomike si pasojë e pasigurive të larta në Eurozonë.  Banka Botërore vëren se pas një rritjeje prej 2.2 përqind vitin e kaluar, shenjat e para tregojnë se Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia po përjetojnë një ngadalësim në 1.1 përqind për këtë vit.

Madje ekspertët e saj parlajmërojnë se shifrat mund të përkeqësohen më tej, në varësi të faktit se si do të zgjidhet kriza ekonomike në Greqi. Në raport vihet në dukje se disa nga vendet e rajonit që kanë borxhe të lartë si Shqipëria, e kanë të domosdoshme  të ndërmarrin një konsolidim fiskal të qendrueshëm për të ndryshuar dinamikën negative të borxhit dhe për të vendosur bazat për një rritje dinamike afatgjatë të ekonomisë.

Top Channel