Arrestime për skrapin e Azotikut

05/06/2012 22:05

Katër persona, mes të cilëve edhe drejtori i Uzinës së Azotikut, përfunduan në pranga nga policia e Rrethit të Fierit pasi akuzohen për vjedhje të skrapit, e mbetur në tentativë.

Në operacionin blitz të policisë së Fierit, përfundoi në pranga drejtori i Uzinës së Azotikut, Ferdinand Doksani, Julian Hoxha, 26 vjeç, jurist në po të njëjtin institucion, përgjegjësi i rojeve të Uzinës, Ali Liçaj dhe magazinieri Sotiraq Llazi. Policia njofton se nisi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetases Adelina Daka, ekonomiste financiere në Uzinën e Plehrave Azotike në Fier.

Të katër të arrestuarit, sipas uniformave blu, tentuan të vjedhin në bashkëpunim një sasi të konsiderueshme skrapi nga ambjentet e Uzinës. Ata akuzohen për vjedhje në bashkëpunim dhe shpërdorim detyre.

Skandali i shkrirjes së Azotikut të Fierit është publikuar në shtator të 2011-ës nga Top Channel, ku tregohet se si mijëra ton metale u zhdukën me shpejtësi nga uzina e re e uresë që punoi vetëm pak muaj.

“Fiks Fare” denoncoi me pamje vjedhjen galopante të sasisë së metaleve dhe transportimin e saj drejt Metalurgjikut të Elbasanit ku shkrihej nga kompania “Kurum”. Shkrirjes i parapriu një tender i anuluar nga Agjencia e Prokurimeve. Por pavarësisht se tenderi u anulua, autoriteti shitës ka lidhur një kontratë në dukje me kompaninë “Kurum International”.

Në fakt mësohet se persona të tjerë kanë shfrytëzuar dokumentet e kësaj kompanie për të blerë skrap me cmim disa herë më të ulët se sa ai që presupozohet që “Kurum” ua blen personave që në fakt janë shfrytëzuesit realë të kontratës së skrapit.

Top Channel