Nafta, çmimi i pajustifikuar

04/06/2012 00:00

Çmimi i naftës në tregjet botërore ka shënuar vlerën më të ulët të tetë muajve të fundit duke zbritur ne 96 dollarë për fuçi.

Krahasuar me fillimin e prillit çmimi i naftës ka rënë me gati 30 dollarë për fuçi ose mbi 23 për qind. Kjo është një nga rëniet më të forta brenda një kohe të shkurtër, e shkaktuar nga përkeqësimi i situatës ekonomike botërore dhe rikthimi i shqetësimeve për thellimin e krizës.

Përtej shkaqeve, rënia e cmimit të karburanteve, ka lehtësuar buxhetet e qytetarëve në gjithë Europën Perëndimore. Por në tregun shqiptar edhe këtë herë, rënia e çmimeve përveçse me vonesë është përcjellë vetëm pjesërisht. Në pikat me pakicë të tregut të brendshëm, çmimi i naftës luhatet rreth 180 lekë për litër dhe krahasuar me muajin prill ka rënë me gati 10 lekë për litër krahasuar me fillimin e prillit ose vetëm 5.2 për qind nga 23 për qind në bursa.

Importuesit thonë se një nga arsye se pse rënia e cmimit nuk reflektohet e plotë në tregun vendas lidhet me kursin e këmbimit të lekut me dollarin. Nafta blihet në dollar dhe forcimi i monedhës amerikane e bën atë më të shtrenjtë në lekë. Por përllogaritjet tregojnë se edhe efekti i dollarit nuk mund ta justifikojë plotësisht diferencës mes rënies së cmimit në tregjet botërore dhe atë që është pasqyruar në tregun vendas.

Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, një dollar amerikan kushton aktualisht 6 lekë më shumë se sa në muajin prill dhe mars, që do të thotë se kostoja e blerjes për importuesit është rritur me vetëm 5 për qind. 

Pra të dyja, efekti i dollarit dhe rënia e cmimit në tregun vendas mund të shpjegojnë vetëm gjysmën e efektit që vjen nga rënia e cmimit në tregjet botërore. Nëse tregu shqiptar do të reflektonte plotësisht ecurinë e cmimeve në tregjet globale, çmimi i naftës duhet të kishte rënë ne qershor minimalisht me 20 lekë për litër, krahasuar me prillin, për sa kohë që importuesit nuk kanë patur gjatë kësaj kohë rëndim të barrës fiskale apo ndonjë kosto shtesë.

Çmimeve e larta të karburanteve favorizojnë edhe vetë qeverinë, e cila mbledh më shumë të ardhura në buxhet, kryesisht përmes tatimit mbi vlerën e shtuar. Ndaj në gjithë këtë situatë më të pambrojturit janë qytetarët, të cilët paguajnë kostot e larta.  

Top Channel