“Dajti”, avokati akuza gjykatës

03/06/2012 00:00

Pas apelit të Krimeve të Rënda për procedim disiplinor ndaj disa avokatëve të caktuar kryesisht si shkaktarët kryesorë të bllokimit të procesit ndaj Dritan Dajtit, reagon avokati mbrojtës i tij.

Sipas Hasaf Hadëraj, pavarësisht qëndrimit të Gjykatës, vetë ai nuk është bërë asnjëherë pengesë për bllokimin e këtij gjyqi. Avokati madje ja lë një pjesë të fajit trupit gjyqësor që po shqyrton këtë dosje: “Kam mbi 20 vjet avokat dhe kurrë nuk më ka ndodhur që të kërkohet mbi 30 herë përjashtimi i kryetarit të trupit gjykues për faktin se janë konstatuar njëanshmëri në shqyrtimin e kësaj çështjeje. Nuk është e vërtetë që Dajti apo avokatët mbrojtës janë pengesë.
Është fakt që unë kam pasur edhe gjyqe të tjera dhe kam njoftuar me shkrim se jam i angazhuar në seanca të tjera. Këto janë fakte të dokumentuara.”

Për 14 seanca resht Gjykata e Krimeve të Rënda nuk mundi të zhvillonte gjyqin për shkak të mungesës së ndonjërit prej avokatëve të caktuar kryesisht në këtë proces me tre të pandehur.

Gjatë një interviste për Top Channel, kryetari i gjykatës Sandër Simoni kërkoi që Dhoma e Avokatisë të reagojë, në të kundërt avokatët do të përjashtohen nga lista. Ndërsa Ministria e Drejtësisë e cilësoi situatën në këtë proces të shkaktuar edhe nga vetë gjyqtarët që nuk ushtrojnë siç duhet kompetencat e tyre në gjykim.

Top Channel