Shkodër, në pranga kreu i Komunës Rrethinë

01/06/2012 17:40

Policia e Shkodrës prangosi ditën e premte kryetarin e Komunës Rrethinë, 38-vjeçarin Klevis Muja.

Muja u prangos për llogari të drejtësisë italiane. Ai akuzohet nga autoritetet e vendit fqinj për trafik me lëndë narkotike.

Emri i drejtuesit të lartë lokal në Komunën e Rrethinës në Shkodër mësohet se është dorëzuar në listën me dhjetra emra që drejtësia italiane i ka dorëzuar policisë shqiptare. Pjesa më e madhe e të kërkuarve akuzohen për trafik të lëndëve narkotike, shfrytëzim prostitucioni apo vjedhje.

Klevis Muja është zyrtari i dytë i pushtetit lokal që kërkohet nga drejtësia italiane. Emri i parë i bërë publik ishte ai i Fatmir Kajollit, anëtar republikan i Këshilllit të Qarkut në Fier. Ndaj Kajollit ka dy vendime të gjykatave italiane, një vendim me 24 vjet burg dhe një tjetër me 16 vjet.

Tiranë, 5 në pranga për trafik droge

Policia e Tiranës arrestoi pesë persona nën akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike.

Gjatë një operacioni të koduar “Poker”, unifromat blu prangosën shtetasit Maltin Lazaj, Haxhi Cani, Valter Lico, Ali Nelaj dhe Xhoni Karaj, të moshave nga 24 deri në 46 vjeç.

Arrestimi i tyre u bë pasi gjatë një periudhe tremujore të përgjimit rezultoi se ata konsumonin veprat penale të prodhimit, mbajtjes, shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

Por gjatë hetimit ka rezultuar edhe se në këtë aktivitet kriminal janë të përfshirë edhe dy shtetas të tjerë. Lënda narkotike vinte nga fshatrat e Malësisë së Vlorës dhe mbahej në një furgon me targa të Tiranës, i lokalizuar në lagjen Kombinat, ku dhe jetonin zotëruesit e saj.

Policia tha se në zbatim të ligjit Antimafia është duke u hetuar edhe për blerje të pasurive të patundshme nga ana e tyre, duke përdorur të ardhurat e përfituara nga shitja e drogës.

Top Channel