Patozi: Besoj që në raundin e dytë të kemi Presidentin konsensual

30/05/2012 00:00

Astrit Patozi dhe Gramoz Ruçi u takuan të mërkurën në mëngjes në
Kryesinë e Kuvendit, pak para nisjes së seancës Parlamentare, por doli
qartë që mes palëve kundërshtare nuk pati asnjë rezultat konkret për çështjen e Presidentit.

Pas takimit kryetari i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi theksoi se maxhoranca e ka vendosur kandidatin për President në mënyrë të njëanshme, pasi kandidatura e dorëzuar e Xhezair Zaganjorit është një emër vetëm i maxhorancës.

“Ende shpresoj për gjetjen e një kandidati konsensual për President”, tha Ruçi.

Ndërkohë homologu i Ruçit në Partinë Demokratike, Astrit Patozi deklaroi se në takimin e së mërkurës u konsumua seria e dytë e një filmi të xhiruar paraprakisht në selinë e Partisë Socialiste.

“Mendoj se është një histori paragjykimi, e cila ka në bazë vendimin e Ramës për të bllokuar jo vetëm reformat e integrimit, por edhe procedurat e zgjedhjes së Presidentit. Sot ne erdhëm shumë konkretisht me një propozim real, i cili kishte të bënte me një kandidaturë te formalizuar, por PS nuk e pranoi, duke theksuar se nuk duhej një noter i Partisë Demokratike. Refuzimi kategorik i opozitës më la një shije të hidhur”, tha Patozi.

Sipas tij, maxhoranca dhe opozita i kanë të gjitha mundësitë që në raundin e dytë të zgjedhin kreun e vendit. “Mendoj se maxhoranca ende duhet te konsumoje perpjekjet e saj qe ta binde opoziten qe te perfshihet edhe ajo ne proces. Mendoj se i kemi te gjitha mundesite qe ne raundin e dyte te kemi nje president konsensual”, tha Patozi.

Top Channel