Xhezair Zaganjori, kandidat për President

29/05/2012 00:00

Një ndër emrat kryesore  në mos kryesori i listës së kandidatëve për president që qarkullojnë në tryezën e negociatave mes palëve është ai i Xhezair Zaganjorit.

I diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë në vitin 1981. Që nga ajo kohë ka qenë lektor i të Drejtës Ndërkombëtare Publike, i të Drejtës Europiane dhe i të Drejtave të Njeriut në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në shkollën e Magjistraturës dhe në shkollën e Studimeve Europiane.

Në vitin 1991 zoti Zaganjori ka qenë i zgjedhur edhe si anëtar i gjykatës së pajtimit dhe arbitrazhit prane OSBE-së. Gjatë viteve 1992 – 97 ka qenë ambasador në Gjermani ndërsa në vitin 1993 ka marrë edhe gradën shkencore Doktor i Shkencave Juridike e pasuar në vitin 2009 nga titulli Profesor.

Në vitin 2003 është zgjedhur anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe vazhdon të jetë ende edhe sot. Zoti Zaganjori është autor i një sërë botimesh shkencore brenda dhe jashtë vendit, dhe është gjithashtu pjesmarrës aktiv në kognrese e konferenca të ndryshme ndërkombëtare brenda dhe jashtë vendit.

Tryeza, lista e parë e emrave

Pas orës 19:00 të mbrëmjes kanë nisur edhe orët më interesante, jo vetëm për negociatorët direktë të koalicionit qeverisës, por edhe për median dhe publikun.

Negociatorët nuk flasin zyrtarisht për emra, por një listë e besueshme me emra ka nisur të qarkullojë.Dhe në krye të saj është Xhezair Zaganjori, kandidati kryesor i dalë mbrëmjen e të martës dhe emri i parë në negociatat PD-PS që zhvillohen mëngjesin e të mërkurës. Se sa do të rezistojë ky emër, këtë do ta vërtetojë përfundimi i negociatave dhe të paktën seanca e parë e votimit.

Lista fare mirë mund të quhet lista e diplomatëve kandidatë për presidentë, por kush preferon drejtësinë më shumë sesa diplomacinë mund ta quajë edhe lista e juristëve. 

Ndoshta ekonomia mbetet e papërfaqësuar mire, sepse Ardian Fullani, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, këmbëngul, edhe publikisht se preferon më shumë të zgjidhë problemet në ekonomi, sesa ato në politikë.

Diplomatët përbëjnë shumicën e listës prej 8 emrash që qarkullon nën zë. Ata janë njerëz që njihen si të afërt me kryetarin e LSI-së, Ilir Meta dhe që kanë bashkëpunuar ngushtë me të ndër vite, por disa prej tyre kanë bashkëpunuar gjithashtu me Sali Berishën dhe janë promovuar gjatë qeverisjes së tij për të ngjitur shkallët e karrierës diplomatike.

Përsa i përket gjyqtarëve, ata janë emra të njohur edhe në të Drejtën Ndërkombëtare, përfaqësues të Shqipërisë edhe në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Nga do të anojë peshorja e politkës, e cila zakonisht nuk është dhe aq e saktë? Për këtë duhet pritur.

Kryetari i grupit të PD  Astrit Patozi ka deklaruar  në mbrëmje se të mërkurën do të ketë kandidatura për të testuar vullnetin e opozitës.

Seanca për votim është parashikuar në orën 10:00, por mesa duket do të jetë një formalitet pa president, sepse në orën 11 është parashikuar mbledhja rutinë e qeverisë.

Lista e plotë e emrave kandidatë për President të Republikës, propozuar dhe shqyrtuar nga mazhoranca:  

Ardian Fullani, Guvernator i Bankës së Shqipërisë

Artur Kuko, Ambasador në NATO

Dashnor Dervishi, Ambasador në Greqi

Ferit Hoxha, Ambasador në OKB

Ledi Bianku, Anëtar i Gjykatës së Strazburgut

Kristaq Traja, Ish-anëtar i Gjykatës së Starzburgut

Mimoza Halimi, Ambasadore në Belgjikë

Xhezair Zaganjori, anëtar i Gjykatës Kushtetuese

Presidenti, Berisha: Rama të ndalë bllokimin


Kryeministri Sali Berisha deklaroi në mbledhjen e kryesisë së Partisë Demokratike, se në takimet me aleatët është i qartë vullneti për t’i dhënë vendit Presidentin me vlerat, virtytet, aftësitë dhe integritetin e merituar.

Që në fillim të fjalës së tij, Berisha akuzoi kryetarin e opozitës Edi Rama se po kërkon ta shndërrojë çështjen e presidentit, në çështje pazari.

“Rama flet për kriza, për ekzekutime politike të të gjithë anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, paçka se ata janë votuar nga i gjithë spektri politik, duke dhënë kështu shembullin jashtëzakonisht të papranueshëm për këtë kohë. Ai ngrihet kundër të gjithë anëtarëve të KQZ-së, i shpall ata armiq dhe kërkon largimin e tyre të menjëhershëm, në një kohë që ne ftojmë të zgjedhim Presidentin e Republikës me një proces me konsensus”, tha Berisha.

Berisha theksoi se Rama, të gjitha përpjekjeve të maxhorancës për të bashkërenduar punën për zgjedhjen e Presidentit, po i përgjigjet me një sërë akuzash, të cilat, sipas kryeministrit, fshehin vullnetin e kreut socialist, për të bllokuar procesin e integrimit.

Më tej në fjalën e tij, para anëtarëve të Kryesisë, Berisha i kujtoi Ramës ndryshimet kushtetuese të vendosura bashkarisht në vitin 2008, ndërsa theksoi se kreu i vendit duhet zgjedhur me konsensus dhe më pas të përfundojnë edhe reformat e nisura.

“Jemi të gatshëm të ndryshojmë Kushtetutën për heqjen e imunitetit”, tha ndër të tjera shefi i qeverisë. Në fund Berisha rikonfirmoi se nuk do të ketë një takim mes tij dhe Ramës për çështjen e Presidentit, duke kujtuar se reformat më të rëndësishme për vendin janë realizuar edhe pse mes tyre nuk ka patur ndonjë takim.

Rama reagon në Twitter

Kreu i Partisë Socialiste reagoi në Twitter ndaj deklaratave të kryeministrit Sali Berisha në mbledhjen e kryesisë së Partisë Demokratike.

“Të bardhën të zezë e të zezën të bardhë Kryeministri e ka mësuar në shkollën e Enverit, s’ia kalon kush këtu, po unë përsëris: Vullnet politik, jo dokrra!”, shkroi Rama në rrjetin social.

Në një tjetër mesazh, Rama shtoi: “Reformat i ka bllokuar Kryeministri se s’ka vullnet politik për zgjidhje politike,jo teknicienët e matematicienët! Dialog domethënë vullnet, jo kafemuhabet.”

Sipas Ramës “tryeza e dialogut politik kërkohet nga interesi kombëtar”.

Mblidhet Kryesia e LSI-së

Thuajse në të njëjtën orë me mbledhjen e Kryesisë së PD-së, u mbajt edhe mbledhja e Kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Në këtë mbledhje, Kryesia mandatoi kreun e LSI-së, Ilir Meta për negociatat politike për gjetjen e emrit të presidentit të ardhshëm të vendit.

Gjithashtu, kreu i LSI-së, prite të takohet në Kryesinë e Kuvendit me aleatët.

Top Channel