Nga mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, kreu opozitës
Edi Rama ka konfirmuar atë që pritej nga të gjithë,  se seanca e parë e
votimit të presidenit të mërkurën është e dështuar nga mospasja ende e
një kandidati.

Sipas kryesocialistit kjo situatë krijon premisat e një krize aspak të dëshiruar për Shqipërinë, kur na ndajnë edhe pak muaj nga provimi i tretë në Bruksel, për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian.

“Raundi i parë për zgjedhjen e Presidentit digjet pa kandidatë dhe procesi hyn në një krizë, por një krizë është gjithnjë një medalje me dy anë. Nga njëra anë është tuneli i pamundësisë, kurse nga ana tjetër mundësia për ta kthyer në një krizën në një shans nga, ku të dilet në një kuotë më të lartë se sa kuota ku ndodhej përpara krizës. Unë shpresoj se mund të ndodhë kjo e dyta, për të gjithë klasën politike shqiptare dhe në fakt janë të gjitha mundësitë që kjo të ndodhë, nëse ka vullnet të mirë nga të gjitha palët”, tha Rama.

Zoti Rama në fjalën e tij është ndalur edhe në 4 propozimet që opozita ka paraqitur në lidhje me përmbushjen e reformave. Sipas Edi Ramës mbledhja e tryezës së kryetarëve të partive parlamentarëve, duhet të ndodhë një orë e më parë.

“E pse qenka një përzierje e panatyrshme gjërash bashkimi i këtyre katër pikave në axhendën e një tryeze serioze, të të gjitha partive parlamentare dhe nuk paska kohë për t’u marrë me to në të njëjtën kohë? E çfarë pengoka një grup njerëzish vullnetmirë në krye të partive që në spektrin parlamentar përfaqësojnë popullin sovran të ulen në tryezë dhe t’i marrin me radhë këto katër përparësi, për të ndihmuar miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë, që ta ndihmojnë Shqipërinë në vjeshtën e këtij viti? Partia Socialiste nuk do të rreshtë përpjekjet për të hapur rrugën e arsyes politike të kombit, në këtë moment delikat dhe historik, duke komunikuar, dialoguar, bashkëpunuar me çdo palë politike dhe mundësisht me të gjitha palët politike, nëse edhe Partia Demokratike e dëshiron, që të gjejmë një zgjidhje të denjë dhe të qëndrueshme për çdonjërën nga të katër pikat”, tha Rama.

Top Channel