Emiri i Kuvajtit, sheiku Sabah al-Ahmad al-Jabir al-Sabah i rezervoi
Presidentit të Republikës Bamir Topi një pritje me protokoll shtetëror.
Ai kishte dalë ta priste vetë në aeroport, në krye të dinjitarëve
kryesorë të qeverisë dhe truproja e nderit luajti himnin kombëtar
shqiptar.

Kuvajti është vendi i Gjirit Persik me të cilin Shqipëria ka marrëdhëniet më të hershme: që më 30 qershor të vitit ’68. Kuvajti është një vend i vogël, gati sa gjysma e Shqipërisë, dhe sic i tha vetë emiri Presidentit rrugës për në qytet, Zoti i ka dhënë Kuvajtit vetëm vapë, rërë dhe naftë. Por me gati 10% të rezervave botërore të naftës dhe prodhuesi i tretë në botë pas Arabisë Saudite dhe Irakut, Kuvajti ka shumë para për të investuar. Në lëmin politik Shqipëria dhe Kuvajti mirëkuptohen për gjithcka: që nga cështja palestineze, që Kuvajti e ka për zemër, e deri te Kosova, që Kuvajti e ka njohur dhe premton se do të lobojë që ta njohin edhe vende të tjera. Ndaj kryetema e bisedimeve të Presidentit Topi, fillimisht me kryetarin e ri të Asamblesë, Ahmed Abdulaziz al-Sadoun dhe më pas me kryeministrin sheikun Jaber al-Mubarak al-Ahmad al-Sabah, ishin pikërisht investimet kuvajtjane në Shqipëri. Shqipëria mendon se mund t’i ofrojë Kuvajtit mundësi të mira investimi. Qeveria hoqi vizat për sezonin turistik për të gjithë shtetasit kuvajtjanë dhe po negocion për një regjim të lehtësuar vizash në vijim. Investimet kuvajtjane në Shqipëri shtrihen kryesisht në hoteleri, por edhe në financime rrugësh.

Vetë Emiri, me të cilin Presidenti u takua sërish pak më vonë, në rezidencën e këtij të fundit, është implikuar personalisht në rindërtimin e sheshit Skënderbej, me 5 mln $ dhe 4 mln të tjera që i dha për familjet e viktimave të Gërdecit. Ndaj në shenjë vlerësimi presidenti Bamir Topi e dekoroi me Urdhërin Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Nga ana e tij emiri sheiku Al-Sabah e dekoroi presidentin me “Urdhërin e Lartë të Mubarakut” dhe pranoi me kënaqësi ftesën për të vizituar Shqipërinë

Ky shkëmbim dekoratash mes Presidentit të Republikës dhe emirit të Kuvajtit dëshmon për marrëdhëniet shumë të mira politike mes dy vendeve, që vjen edhe për faktin se Shqipëria, si vend tashmë anëtar i NATO-s, është një partener i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shumë të pranishme këtu. Çështja si në rastin e Kuvajtit, apo edhe në rastin e Katarit, ku presidenti ishte për një vizitë zyrtare në muajin shkurt, është se si të përkthehen në projekte konkrete biznesi këto deklarata vullnetmira politike. Dhe në rastin e përgatitjes së projekte konkrete përgjegjësia bie mbi palën shqiptare.

Top Channel