Restaurimi i pesë xhamive

28/05/2012 00:00

Është prezantuar në xhaminë e Kalasë së Prezës projekti për restaurimin e 5 monumenteve të kulturës në 5 kala të ndryshme në Shqipëri.

Ky projekt është ideuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe do të realizohet në bashkëpunim me Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, e cila do të jetë edhe sponsore kryesore e kësaj iniciative.

“Është një paketë prej rreth 4 milionë eurosh, që Ministria e Kulturës ka nënshkruar me fondacionin TIKA, për restaurimin e objekteve të kultit, si monumente kulture e fetare në zona të ndryshme të Shqipërisë. Bëhet fjalë për xhaminë në Kalanë e Prezës, që është 600-vjeçare, si dhe për monumente të tjera në Elbasan, Berat, Korçë e Krujë. Kjo është vetëm faza e parë e projektit”, ka deklaruar ministri Aldo Bumçi.

Xhamia në Kalanë e Prezës është vetëm një prej monumenteve të kulturës që janë përzgjedhur për rinovim. Ajo, së bashku me xhaminë në Pazarin e Krujës, xhaminë e Plumbit në Berat, atë të Nazireshesë në Elbasan dhe xhaminë e Iljaz Bej Mirahorit në Korçë, janë përzgjedhur ndër të tjera për veçantitë dhe vlerat e tyre historike.

“Është një xhami e vendosur në Kalanë e Prezës, e shekullit të 16-të dhe që dëshmon vlerat dhe rrugën e popullit shqiptar gjatë ndryshimit të fesë. E veçanta është se mihrabi, zona si tip nishe që ndodhet në çdo xhami, ndodhet jo në pjesën fundore, por atë qëndrore të saj”, ka saktësuar Arbër Kadia, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Tiranës për Monumentet e Kulturës.

Sipas ministrit Bumçi, kjo është vetëm faza e parë e projektit, i cili në një fazë të dytë do të përfshijë edhe monumente të tjera kulturore dhe do të vijojë të realizohet në bashkëpunim me Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, e cila operon në Shqipëri që prej vitit 1992.

Top Channel