Takimi mes negociatorëve të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike në procesin e zgjedhjes së presidentit të ardhshëm, mendohej të prodhonte një avancim të procesit, por rezultoi një dështim total duke vënë në pikpyetje vijimin e bisedimeve.

Të mandatuarit e PS-së, Gramoz Ruçi dhe Sajmir Tahiri, gjatë takimit me Astrit Patozin dhe Edmon Spahon e vunë theksin në rëndësinë që merr procesi integrues i Shqipërisë, që për socialistët është më i madh se zgjedhja e kreut të ardhshëm të shtetit. Duke vendosur integrimin në plan të pare, socialistët i paraqitën një paketë të plotë me 4 propozime negociatorëve të PD-së për të thirrur një tryezë të kryetarëve të partive parlamentare, propozim ky që duket se e gjeti të papërgatitur palën tjetër.

“Të thërritet një tryezë të të gjithë krerëve të partive parlamentare, ku të finalizohen 4 çështje: të finalizohet dhe të miratohet me procedura parlamentare Reforma Zgjedhore; të finalizojë dhe të miratojë Reformën Parlamentare; të finalizojë dhe të miratojë formulën për ndryshimet kushtetuese për heqjen e imuniteteve të atyre që gëzojnë imunitet; të finalizojë dhe të miratojë një president të gjithë pranuar nga të gjitha palët parlamentare”, u shpreh Ruçi pas takimit.

Por për demokratët qëndrimi i socialistëve ka qenë i papritur, të cilët shpresonin që negociatat t’i dedikoheshin tërësisht zgjedhjes së presidentit.

“Ky takim më la një shije të keqe, por nuk dua të them fjalën e fundit sepse mazhoranca ka prirjen të mbajë hapur portën për arritjen e një marrëveshjeje për presidentin. Pala tjetër kishte ardhur në takim me platformën e editorialit të kryetarit të partisë së tyre, zotit Edi Rama, e cila është një platform bllokuese që e fut në rrugë pa krye procesin”, theksoi Patozi.

Tashmë që është rikonfirmuar qëndrimi diametralisht i kundërt mes palëve për çështjen e presidentit pritet të shihet në ditët në vazhim nëse ky ishte raundi i parë dhe i fundit i negociatave mes PD dhe PS, apo dy forcat më të mëdha politike do të gjejnë një tjetër formulë për t’i çuar përpara bisedimet e ethshme presidenciale.

Top Channel