Pavarësisht mosdhënies së lejes për të zhvilluar tubimim politik, Aleanca Kuqezi nuk ka hequr dorë nga organizmi manifestimit në qytetin e Shkodrës. Qytetarë të grupmoshave të ndryshme iu bashkuan kësaj force politike në kryeqëndrën e veriut të Shqipërisë nga ku kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu ka paraqitur programin e kësaj force politike.

Mes brohoritje dhe sloganeve kundra qeverisë Berisha, Kreshnik Spahiu deklaroi  se dhurata më e bukur dhe më e merituar për Shqipërinë dhe shqiptarët, në 100-vjetorin e Pavarësisë është largimi i kësaj qeverie.

“Në Shkodrën historike në vijmë sot më të motivuar se kurrë, më të bashkuar se kurrë, për t’i dhënë mesazhin e merituar të majtës dhe të djathtës që Shkodrën lanë pas dore. Ka ardhur koha që pikërisht aty ku përpara 22 vitesh nisi largimi i diktaturës, të nisë largimi i qeverisë së katrahurës”, deklaroi zoti Spahiu.

Zgjedhja e Presidentit të ardhshëm nuk ka mbetur jashtë vëmendjes së kësaj force politike. Duke u ndalur në këtë cështje zoti Spahiu kujtoi sherret e njëpasnjëshme ndër vite të politikanëve shqiptarë duke i etiketuar ata si “qokaxhin” dhe se Shqipëria ka nevojë për një president që mbi të gjitha të jetë patriot.

“Ata u shanë me njëri-tjetrin, ata u rrahën me njëri-tjetrin, ata poshtëruan njëri-tjetrin, ata fyen njëri-tjetrin, ata burgosën njëri-tjetrin, madje janë ata të cilët izoluan për herë të dytë pas diktaturës Shqipërinë. Sot ata kanë sërish guximin të tallen me shqiptarët duke ndërruar karriget e pushtetit në kafenetë e Tiranës. Por ata harrojnë se sot në Shqipëri ka lindur Aleanca Kuq e Zi, aleanca e shqiptarëve e cila në themel të saj ka atdhedashurinë. Janë këta politikanë të cilët sot fatin e Shqipërisë, zhvillimin e Shqipërisë dhe integrimin e Shqipërisë po e rrezikojnë për t’i dhënë shqiptarëve një president që i pëlqen vetëm njërit ose vetëm tjetrit. Shqiptarëve iu duhet një president patriot”, shtoi zoti Spahiu.

Në përfundim të aktivitetit të Aleancës Kuq e Zi, lideri Kreshnik Spahiu shpërndau rreth 200 karta anëtarsimi për “Kuqezinjtë e rinj”.

Top Channel