Presidenti, Berisha takon aleatët

25/05/2012 00:00

Sali Berisha dhe Ilir Meta rivendosën kontaktet direkte, kontakte këto të ngrira gjatë kohëve të fundit, veçanërisht pas takimeve private dhe publike mes Edi Ramës dhe Ilir Metës.

Berisha dhe Meta u takuan bashkë me negociatorët përkatës, në përpjekje, siç thanë, për t’i dhënë vendit një president konsensual.

Me këtë synim të përbashkët, por që ende nuk ka një konkretizim përtej parimeve të shprehura, marrëdhëniet mes aleatëve kryesorë qeverisës, u dukën më të shtendosura.

Kryeministri Berisha tha se dolën nga takimi, që zgjati rreth 40 minuta, me përputhshmëri të plotë mendimesh.

“Me udhëheqjen politike të LSI, që është dhe aleati kryesor i PD në koalicion, u ra plotësisht dakord që të bëhet çdo përpjekje, në mënyrë që presidenti të zgjidhet me konsnesusin më të gjerë të mundshëm. U shpreh besimi se kjo është një mundësi reale. U ra dakord që të vazhdojnë takime intensive për të bërë sa më shpejt të jetë e mundur vendin me kryetarin e merituar të shtetit”, deklaroi Berisha pas takimit.

“Shprehëm vendosmërinë e LSI për t’i kontribuar këtij proçesi që të jetë sa më kushtetues, konstruktiv dhe konsensual. Të bëhen të gjitha përpjekjet që presidenti mundësisht të zgjidhet me raundin e parë dhe të jepet mesazhi i pjekurisë politike i klasës tonë politike. Nuk u bisedua për emra konkretë, biseduam për rëndësinë e proçesit, që të jetë sa më gjithëpërfshirës. Por jo vetëm kaq. Të jetë sa më i sinqertë dhe rezultativ. Në këtë drejtim mendoj se vullneti i duhur për ta kristalizuar dhe mbyllur këtë proçes mund të sjellë një ose disa emra të pranueshëm më gjerë, sesa mazhoranca aktuale në Parlament”, tha Meta më pas.

Megjithëse nuk foli në mënyrë direkte, Ilir Meta dha një përgjigje të mjaftueshme kur u pyet nëse LSI pranon si konsensual një kandidat nga Partia Demokratike.

“Për ne nuk është e rëndësishme të paragjykojmë se nga nuk duhet të vijnë emrat. Për ne është e rëndësishme të jetë i sinqertë vullneti për të patur një president të mbështetur nga një mazhorancë më e gjerë se mazhoranca qeveritare”, tha Meta.

“Do të bëhet gjithçka dhe u them me qartësinë më të madhe se vullneti i kësaj mazhorance, dhe unë do të vazhdoj konsultimet, që në raundin e parë të ketë një kandidat serioz, dinjitoz, që mund të nderojë vendin me detyrën e tij”, u shpreh më pas Berisha.

Proçesi për zgjedhjen e presidentit është shumë i rëndësishem këtë radhë, jo vetëm për të mësuar se kush do të jetë kreu i ardhshëm i shtetit dhe nga kush do të votohet ai. Ky proçes është i rëndësishëm edhe për të mësuar sesa jetëgjatë do të jetë koalicioni PD-LSI.

“Sot ishte një konfirmim i plotë i vlerësimeve maksimale të të dy palëve per koalicionin e firmosur në 2009-ën dhe qëndrueshmërinë e tij në përputhje me marrëveshjen”, vijoi më tej Berisha.

Kryeministri Berisha takoi gjatë pasdrekës së të premtes edhe dy aleatët e tjerë parlamentare, Shpëtim Idrizin dhe Fatmir Mediun. Ashtu si me Ilir Metën, kryefjala e takimeve ishte presidenti konsensual dhe mosparagjykimi i asnjë emri. Aleatët qeveritarë do të takohen sërish javën e ardhshme me njëri-tjetrin.

Më 30 maj është votimi i parë për presidentin dhe vetëm pas ditës së hënë, nëse bisedimet do të shkojnë mirë, mund të flitet për emra dhe ç’është më e rëndësishmja, mund të flitet nëse në këtë raund do të ketë një kandidat konsensual.

Top Channel