Greqia bllokon “autobusët e vdekjes”

25/05/2012 00:00

Rreth 10 ditë para aksidentit tragjik të 21 majit në Himare, Ministria greke e Transportit u ka çuar një vendim qarqeve të Epirt të Veriut dhe atij të Maqedonisë Perëndimore, që të ndalojnë hyrjen e autobusëve të disa kompanive shqiptare nga Shqipëria drejt Greqisë.

Vendimi, që është publikuar në fillim të kësaj jave, u drejtohet autoriteteve të katër pikave doganore me Shqipërinë, të cilat urdhërohen të ndalojnë disa prej autobusëve të kompanive shqiptare të qarkullojnë në territorin grek, sepse, siç shpjegohet në vendim, nuk u përmbahen kushteve të sigurisë teknike të automjeteve, duke vënë në rrezik jetët e pasagjerëve.

Por, midis të tjerash, aty përmendet se kompanitë e transporteve të vendeve të treta jashtë BE-së, siç është edhe Shqipëria, duhet të plotësojnë një sërë kushtesh për të operuar edhe në Greqi, midis të tjerash ai i bashkëpunimit të tyre me një subjekt grek të transporteve.

Për këtë u ishte lënë edhe një afat deri në dhjetëditëshin e dytë të majit, në rast të kundërt u ndalohej hyrja dhe qarkullimi në territorin grek.

Të nesërmen e mbarimit të afatit, 18 kompani, emrat e të cilave ka në dispozicion Top Channel, janë ndaluar të përdorin autobusët e tyre drejt Greqisë, pasi nuk kanë plotësuar kërkesat e ministrisë greke.

Ndërkohë, ana tjetër e medaljes është se kompanitë greke të autobusëve kanë vite që luftojnë ato shqiptare, për arsye se u kanë marrë një pjesë të mirë të tregut, pasi kanë çmime më konkurruese.

Sipas gazetës së Janines “Proinos Logos”, përfaqësuesit e kompanive të transportit të udhëtarëve me qendër në këtë qytet, konsiderojnë autobusët shqiptarë si mjetet e vdekjes, ndërsa kërkojnë prej shtetit grek që t’u vendosen shoqërive shqiptare taksa më të larta në shitjen e biletave të tyre.

Aksidenti tragjik i Himarës, që bëri bujë të madhe edhe në mediat greke, nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka shtuar këto zëra, të cilët kanë të drejtë përsa i përket masave të sigurisë, por nga ana tjetër janë edhe abuzuese sepse kërkojnë disa kushte që dëmtojnë kompanitë shqiptare në interes të atyre greke.

Top Channel