“Top Story”, dilemat e presidentit të ardhshëm

24/05/2012 00:00

Në 24 maj, mori udhë zyrtarisht procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës dhe seanca e parë e votimit për të, do të mbahet të mërkurën në orën dhjetë.

Megjithëse, maxhoranca ka tentuar të mbyllë debatin, në fakt nuk po ndodh kështu. Është afrimi Meta-Rama ai që ka ngjallur shumë dyshime në Kuvend, ku të enjten u fut jashtë radhe edhe ligji i akcizës për të testuar ku është maxhoranca me nivelin e votave.

Dhe përgjigja ishte alarmanete për qeverinë, pasi ligji kaloi me 68 vota, plus ajo e kryeministrit 69, por pa votat e LSI-së dhe pa shumicën në Parlament. A i ka kjo maxhorancë votat për të kaluar e vetme presidentin siç e parashikon kushtetuta?

Për këtë dhe për të debatuar për momentin aktual politik e strategjitë që mund të ndjekin në këtë muaj vendimtar për të ardhmen e vendit aktorët kryesorë politikë në vend, në emisionin e përjavshëm politik të Sokol Ballës, “Top Story”, u takuan në studio politikanë dhe analistë.

Dy deputetët e Partisë Socialiste, Arben Malaj dhe Olta Xhaçka, u vendosën përballë kolegut të tyre demokrat, Enkelejd Alibeaj dhe deputetit Dritan Priftit, tashmë një deputet i pavarur. Për të komentuar situatën me një ftohtësi dhe distancë nga përditshmëria politike, debatuan përkrah deputetëve edhe analistët Alfred Peza dhe Artan Hoxha.

Prifti: Maxhoranca ka rënë që tani

I pari që bëri analizën e tij ishte Dritan Prifti, i cili i sheh të panevojshme analizat për numrat, pasi sipas tij, maxhoranca është e rënë. “Domosdoshmërisht, zgjedhja e presidentit është një mocion për qeverinë, ndonëse jo drejtëpërdrejtë. Por, nëse qeveria dhe mazhoranca nuk sigurojnë 71 vota në raundin e katërt, do të thotë që ka rënë dhe nuk e ka fituar votëbesimin”, vlerësoi Prifti.

”Në analizën që i bëj situatës mendoj se kjo maxhorancë ka rënë, pavarësisht a ka rënë sot, pas një jave a tre javësh. Mendoj se kjo i ka humbur disa vota të veta në mënyrë të pakthyeshme. Përsa i përket votave të LSI, mendoj se është çështje ditësh, mbase javësh, që nuk do të jenë më vota të rreshtuara në mënyrë të verbër apo të rreshtuara sidoqoftë përkrah Berishës. Besoj se për punë ditësh do të tregohet që maxhoranca nuk e ka më shumicën. Nëse do të shkojë situata deri në raundin e katërt, është një votëbesim për maxhorancën e qeverisë dhe unë nuk e besoj se ajo do t’i ketë 71 vota. Por, çdo gjë mund të ndodhë, edhe pse prej një muaji dihet se do të ketë zhvillime”.

Alibeaj: Qeveria nuk do të rrëzohet, ky është momenti për transparencë dhe ndershmëri politike

Natyrshëm, deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj e kundërshtoi këtë vlerësim të Priftit, duke vlerësuar se çështja e presidentit është një çështje me rëndësi shumë të madhe për të ardhmen e vendit dhe si rrjedhojë, nuk duhet të banalizohet në një vlerësim të thjeshtë numrash. “Kartat e maxhorancës janë në rregull. Kemi besim se si sot, si pas një muaji do të kemi një president dhe që nuk do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Këtë e themi me siguri që të qetësojmë shpirtërat e kujtdo që mendon se mund të ketë turbullira tektonike në politikë”.

”A do të jetë një test politik, një vorbull që do të prodhojë maxhoranca të reja?. Unë mendoj se kjo nuk është një lojë numrash, një lojë e thjeshtë birilash, pasi cilidoqoftë lojtari politik në Parlament, si i madh si kryemninistri apo edhe deputet e paangazhuar, kam idenë që bëjnë llogarinë sot, pas një muaji dhe pas një viti. Duke bërë këto llogari, modelojnë sjelljen e tyre politike. Në këtë optikë, maxhoranca sot, i ka 73 votat e vota, do të dalë me një kandidat të PD-së për president të Republikës në procesin që nis sot. Pa dyshim, maxhoranca do të tentojë që në raundin e parë një president konsensual. Mund të jetë 84-85 vota apo 140, pak rëndësi ka. Maxhoranca, është e vendosur që në këtyë mekanikë parlamentare të ketë pikë të fortë atë që është spektri i moralitetit politik. Prandaj ajo s’do të hyjë në histori trafikimesh deputetësh apo bisedimesh jotransparente. Vetë kryeministri Berisha ka thënë që negociatat do të jenë transparente, si sot mbledhja e kryesisë PD”.

Malaj dhe Xhaçka: Çdo opsion i hapur, e rëndësishme të shmangim kriza politike

Një ish-Ministër i Financave dhe anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike, Arben Malaj, e vlerësoi si thelbësore për vendin që të shmanget një krizë e re politike në këtë moment, sipas tij delikat për shkak të mosqeverisjes së mirë. “E vërteta është se situata është mbinharkuar. Ne shqiptarët jemi mësuar që shpesh të shkojmë deri në afatin e fundit të lejuar. Unë mendoj se maxhoranca nuk ka të njëjtën siguri që shpreh kolegu, por do të kemi një proces që kemi në dorë t’i qetësojë zhvillimet politike apo do t’i tensionojë? Maxhoranca nuk ka elementë avantazhi në këtë proces. Në rast të një zgjedhje të njëanshme konsiderohet shans i humbur që krijon kosto të reja në procesin e integrimit. Të mos harrojmë që me gjithë mirëkuptimin e opozitës, ishte kjo maxhorancë në prill 2009 që dërgoi aplikimin për t’u bërë vend anëtar. 42 muaj dhe kemi ngelur në provimet e vazhdueshme. Vendi është i prekur nga kriza globale dhe keqqeverisja. Çdo kosto shtesë mbi zhvillimet ekonomike e sociale që vijnë nga ngërçet politike do të rëndojnë mbi gjithë shqiptarët”.

Sipas Malajt, vendimtare do të jetë sjellja e LSI-së, e cila për momentin është e pamundur të parashikohet. “LSI ka realizuar disa deklarata me mesazh të caktuar për maxhorancën dhe opozitën, teksa ka thënë që nuk voton president me 71, njëkohësisht ka thënë edhe që nuk do zgjedhje të parakohshme. Mesazhi i kësaj force është ende konfliktuar dhe i paqartë, prandaj formon një element dyshimi”.

Pasi Hoxha bëri një analizë të shkurtër, mbi konceptin se maxhoranca vazhdon t’i ruajë 71 deputetë në Kuvend, deputetja tjetër e PS në studio, Olta Xhaçka, vlerësoi: “Bashkimi Europian kërkon një president konsensual, që është i njëjti me opinionin publik. Për të zgjedhur një figurë që nuk vjen nga radhët e njërës apo tjetrës parti, por figurë që sipas frymës së kushtetuës është figurë e unitetit, që reflekton vlera tolerance e gjithpërfshirëse, paanshmëri, integritet dhe duke qenë se është një figurë kaq e rëndësishme, kryetari i shtetit duhet të jetë një figurë konsensuale. Duhet një figurë konsensuale, me dakordësi, për të mishëruar atë që duhet të jetë president i vendit. Pa dyshim, kjo është kërkesa që na vjen nga ana e partnerëve ndërkombëtare, por edhe nga presioni i opinionit publik”.

Peza: Zgjedhjet e parakohshme nuk i do askush, Nano gaboi rëndë duke u vetshpallur kandidat

”Jemi në kulmin e intrigës. E rëndësishme është që Shqipëria të ketë stabilitet, një president. Për herë të parë, lojtarët kryesorë po bëjnë një lojë të pastër politike, çka tregon pjekuri të duhur dhe të gjithë janë në limitet e një loje pa gabime, në kushtet ku ndodhen. E qartë është se i vetmi që ka gabuar është Fatos Nano, por një gjë është e sigurt, që do të zgjidhet presidenti i gjashtë dhe asnjë s’ka bërë dy mandate siç e lejon kushtetuta. Gjykoj se ajo çfarë e bën interesante këtë lojë dhe e mban në këmbë intrigën është loja e LSI, që bën një lojë për president tani apo  me vision nga 2013 e tutje. Nesër, në takimin Meta-Berisha, Meta do pyesë kryeministrin natyrshëm se çfarë i ofron. Nëse i besojmë deklaratave, që s’do të kemi president me 71 vota, mbetet e qartë se edhe LSI s’do jetë më në qeveri nëse nuk voton. Si do jëte skema, a do të ketë zgjedhje të parakoshme? Kjo nuk dihet, por PD ka ende një sigurisë në dorë, reformën elektorale dhe në këto kushte, me këtë KQZ, vetë socialistëve nuk do t’u interesonte zgjedhja e parakohshme. Prandaj, ekuacioni ka shumë të panjohura për t’u zgjedhur”.

“Ne vijmë në këtë moment të rëndësishëm kur kemi qeverisur tre vjet me një mazhorancë me të cilën kemi patur arritje të rëndësishme. E tillë është lëvizja e lirë pa viza. Është ndyshimi elektoral më 2011. Kjo mazhorancë ka potencialin ta bëjë vendin me president. Por kjo mazhorancë do të gabonte, nëse do të ecte vetëm në këtë drejtim dhe nuk i dëgjon të gjitha palët. Me Ramën kam patur bashkëpunim për Kushtetutën, edhe tani, por jo në tryezë si më parë, por me ekipe. Jam shprehur dhe për një mendim tjetër, se do të propozoj një drejtues të PD, njerëz të provuar, të vlerësuar, të votuar. Udhëhiqem nga kontributet reale të bashkëpunëtorëve. Nuk them se janë ekskluzivë, por disa prej tyre janë me investim të rëndësishëm për vendin e tyre”.

Kjo ishte fjala e kryetarit të Partisë Demokratike dhe kryeministrit Sali Berisha në mbledhjen e Kryesisë së demokratëve në orët e mbrëmjes së enjte. Pa përmendur emra konkretë për president, Kryeministri hedh kufijtë se ku do të synohet ky emër, por pa përjashtuar bisedimet me të gjitha palët, fillimisht me aleatët në bashkëqeverisje, por dhe me opozitën.

Kështu mund të kuptohet të paktën nga ana gazetareske deklarata e zotit Berisha. Por për një analizë më të brendshme nga kampi i demokratëve, foli në Top Story deputeti Enkelejd Alibeaj: Kandidatë janë të gjithë anëtarët e Kryesisë mbi 40 vjec, por ka edhe të tjerë. Kandidatin për president, forca jonë politike e ka dhe do ta ketë ashtu sic i ka hije forcës më të madhe politike, nga më të lartat figura politike të saj. Ky është morali social i palës politike që duhet të futet në këtë garë. Do të jetë figurë e lartë e PD-së. Ka një arsyetim, presidenti nuk mund të jetë një figurë që për shkak të humorëve të opozitës për të kontribuar të vendosë kushte ultimative që nuk është as i mazhorancës dhe të ulim në presidencë një individ anonim. Po të bësh një analizë të figurave presidenciale, besoj që arsyeja e vetme dhe më e madhja që ka bërë difektoze figurat presidenciale ka qenë mungesa e monitorimit politit të tyre, axhendës politike të tyre.

Zoti Alibeaj u ndal edhe tek ngecja e reformës zgjedhore, e cila sipas tij bllokohet nga PS. Ai tha se PS synon të vonojë reformat në mënyrë që vendit t’i refuzohet statusi i vendit kandidat. PS është e vetmja forcë që do të gëzohet nga ky vendim i mundshëm, tha Alibeaj. Por deputetja e Partisë Socialiste, Olta Xhaçka fajësoi palën tjetër për bllokimin e reformës. Sipas saj, mazhorancës i intereson ky sistem zgjedhor për të shkuar në zgjedhjet e mundshme të parakohëshme nëse dështon zgjedhja e presidentit të ardhshëm. “Duam një president konsensual si produkt i dakordësisë politike në një periudhë të rëndësishme të vendit kur diskutohet integrimi i vendit”, tha deputetja socialiste, Olta Xhaçka.

Ndërkohë, deputeti tjetër socialist i ftuar në panelin e Top Story-t, Arben Malaj u shpreh se kriza e shkaktuar nuk është për shkak të opozitës. Malaj vlerësoi se mënyra e zgjedhjes së presidentit do të ndikojë shumë në vlerësimin e ndërkombëtarëve për Shqipërinë. Nëse do të zgjidhej në krye të shtetit në mënyrë të njëanëshme një president, sipas Malajt, rrezikon institucionet dhe organet shtetërore që lidhen me të, që nga shërbimi sekret, diplomacia apo sistemi gjyqësor.

Rrethanat politike aktuale e vecanërisht aleanca me LSI-në, sipas analistit Alfred Peza, kanë detyruar Partinë Demokratike të mbajë qendrim ndryshe nga ai i mbajtur në vitin 2007 kur në krye të shtetit u zgjodh nënkryetari i asokohe i PD-së, Bamir Topi.

“Ka dicka që nuk shkon nga qendrimi PD-së në 2007 dhe 2012. Në 2007 PD këmbënguli që president do të ishte Bamir Topi me 84 vota, ndërsa krejt ndryshe është tani edhe pse mazhoranca mund të sigurojë fare lehtë 71 vota. Mendoj që kushtet aktuale politike e detyrojnë PD-në të mbajë këtë qendrim. Prandaj them se PS nuk duhet të synojë të mundë PD-në në Kuvend me numra, por ta mundë atë me votë”, tha zoti Peza.

Ndërsa deputeti i pavarur, Dritan Prifti, për pak kohë pjesë e kësaj mazhorance, bëri publike votën e tij në Kuvend për presidentin e ardhshëm. Zoti Prifti tha se vota e tij është opozitare dhe do të jetë një votë për president konsensual, jo president me shumicë të thjeshtë. Duke u munduar të bëjë një parashikim se cfarë do të ndodhë në votimin e parë, që mbahet të mërkurën më 30 maj në orën 10:00, zoti Prifti tha se në sallë do të jenë vetëm 68 apo 69 deputetë të mazhorancës, ndërsa opozita do të jetë pjesëmarrëse fizikisht, por jo ligjërisht.

Lidhur me qendrimin e socialistëve në votimin e parë, zbardhi disa detaje deputeti socialist të qendrimit të mundshëm socialist. Zoti Malaj përjashtoi kategorikisht bojkotin, por la të kuptohej se socialistët mund të refuzojnë pjesëmarrjen në parlament.

Ndërsa, deputeti demokrat, Alibeaj tha se më datë 30 maj do të mbahet raundi i parë i zgjedhjes së Presidentit, që quhet i konsumuar edhe nëse në garë nuk ka asnjë kandidat. Por nëse nuk ka kuorum, këtë tha Alibeaj, t’ia lëmë kohës.

Analisti Peza tha se i gjithë procesi i zgjedhjes së presidentit të ardhshëm do të jetë një një lojë me rregula, me procedurë. Sipas tij loja politike do të përfundojë tek procedura dhe Partia Demokratike, aleatin më të mirë këtë radhë ka procedurën.

Top Channel