Presidenti, PD ngre grupin negociator

24/05/2012 22:55

Sali Berisha, Astrit Patozi dhe Edmond Spaho janë tre personat që kryesia e Partisë Demokratike mandatoi për të negociuar me aleatët dhe me Partinë Socialiste për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm.

Ky ishte vendimi i kryesisë, të cilën kryeministri Berisha vendosi ta zhvillojë të gjithën të hapur për mediat, si asnjëherë më parë, të paktën për 10 vitet e fundit.

Për emra është ende herët të flitet, por zoti Berisha dha tre mesazhe të rëndësishme. I pari ishte për funksionimin e mazhorancës, që me votimet e fundit, pa votën e tre deputetëve dhe pas takimit mes Edi Ramës dhe Ilir Metës është vënë në dyshim soliditeti i saj.

Kryeministri evokoi arritjet më të rëndësishme të bashkëqeverisjes PD-LSI dhe bëri një prognozë për bashkëpunimin për presidentin, që është edhe pjesë e marrëveshjes për bashkëqeverisje të firmosur në 2009-ën.

“Ne vijmë në këtë moment të rëndësishëm kur kemi qeverisur tre vjet me një mazhorancë me të cilën kemi patur arritje të rëndësishme. E tillë është lëvizja e lirë pa viza. Është ndryshim elektoral më 2011. Kjo mazhorancë ka potencialin të bëjë vendin me president. Por kjo mazhorancë do të gabonte, nëse do të ecte vetëm në këtë drejtim dhe nuk i dëgjon të gjitha palët”, deklaroi Berisha.

Cfarë do të thotë kjo? Sipas kryeministrit kjo do të thotë që mbështet një proces të negociueshëm për zgjedhjen e presidentit me të gjitha palët. Këtu ishte mesazhi i dytë i rëndësishëm.

Edhe në këtë rast kryeministri evokoi marrëveshjet e dikurshme si me ish-kryetarin socialist Fatos Nano, kur zgjodhën bashkë presidentin në 2002-shin, edhe me kryetarin Edi Rama, kur bashkë ndryshuan Kushtetutën në 2008-ën, por nuk zgjodhen dot në 2007-ën një president konsensual.
“Tentativa e bërë njëherë me Ramën ishte dështim. Kjo nuk më pengon t’i qëndroj tezës për negociata”, tha Berisha.

Por si i kërkon kryeministri negociatat me Edi Ramën? Së pari, të bien dakord që presidentin ta zgjedhin nga politika. Së dyti të hiqet dorë paraprakisht nga teza që kandidati për president përfaqëson unitetin e popullit.

Kjo në fakt është edhe një tezë që mbrohet nga ambasadorët, por në këndvështrimin e kryeministrit, presidenti ka për detyrë kushtetuese të jetë përfaqësues i të gjithë popullit, pasi të zgjidhet, duke mbrojtur interesat e cdo qytetari dhe interesat e vendit.

“Ky është koncepti im. Integriteti politik. Atdhetarizmi janë kushte për t’u ulur në tryezën e presidentit”, shtoi Berisha.

Duke e parë procesin e zgjedhjes së presidentit si të negociueshëm, kryeministri Berisha i kërkon zotit Rama që të mos trajtojë si armiq drejtuesit e Partisë Demokratike, të cilët, njëri prej të cilëve mund të jetë edhe kandidat për president. Dhe ky ishte mesazhi i tretë i rëndësishëm.

“Jam shprehur dhe për një mendim tjetër. Se do të propozojë një drejtues të PD. Njerëz të provuar. Të vlerësuar, të votuar. Udhëhiqem nga kontributet reale të bashkëpunetorëve. Nuk them se janë ekskluzive, por disa prej tyre janë me investim të rëndësishëm për vendin e tyre. Të mendohet se do pranoj demonizime është e papranueshme. Armiq klase janë përfaqësuesit e PD? Sikundër nuk demonizoj kundërshtarët. Nuk kam thënë se nuk pranoj nga PS. Rama ka thënë se nuk pranon nga PD. Ne nuk jemi armiq. Uroj të jenë deklarata që të rishqyrtohen nga zoti Rama. Le ta lemë jashtë imponimin. Uroj që zoti Rama ta lexojë mesazhin tim. Të angazhohemi në këtë proces jo me mungesë besimi. T’i japim vendit një president sa më konsensual. Duke mbështetur kandidaturat e kësaj kryesie. Jam i gatshëm për të biseduar jo për të larë duart”, theksoi Berisha.

Kryeministri Berisha beson se zoti Rama bllokoi reformën zgjedhore dhe atë parlamentare, për shkak të presidentit. Megjithatë, ditët në vijim do të bëjnë më të qartë situatën për presidentin e ardhshëm.

Të premten, kryeministri ka parashikuar nisjen e bisedimeve me aleatët e tij, takime të cilat do të jenë vec e vec me secilin nga kryetarët e partive qeverisëse.

Top Channel