Edhe Kosova, si shtet i ri, u bashkohet shteteve që ndihmojnë në parandalimin e përhapjes së Armëve të Shkatërrimit në Masë.
 

Një marrëveshje e tillë u nënshkrua të mërkurën në Prishtinë nga ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, dhe ambasadori amerikan në Kosovë, Christopher Dell.
 
Sipas Hoxhajt, kjo marrëveshje, e nënshkruar edhe nga shtetet tjera të rajonit, do t’i hapë derën Kosovës për të marrë pjesë në programet amerikane të dizajnuara për të ndihmuar Kosovën në përforcimin e aftësive për të kontrolluar kufijt e vet dhe ndaluar trafikimin illegal të këtyre armëve dhe materialeve që përdoren për ndërtimin e tyre.
             
“Ne e çmojmë shumë gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të bashkëpunuar me Kosovën edhe në këtë fushë si pjesë e angazhimit të SHBA-ve për paqe, siguri dhe stabilitet në Ballkan. Kjo marrëveshje do të rrisë profesionalizmin dhe efikasitetin e zyrtarëve kufitarë në parandalimin e përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë”, tha  Enver Hoxhaj, Ministër i Jashtëm i Kosovës.
 
Për më tepër, sipas shefit të diplomacisë kosovare, kjo marrëveshje do të ndihmojë Kosovën të arrijë standardet ndërkombëtare, sikurse është Rezoluta 15 40 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
 
Në anën tjetër, ambasadori amerikan, Christopher Dell u shpreh se marrëveshjet e nënshkruara deri më tani ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës, janë indikacione të marrëdhënieve të shenjta ndërmjet tyre, të cilat po përforcohen.
             
“Këto dy marrëveshje, së bashku me marrëveshjen për ndihmë bilaterale që e kam nënshkruar më herët, si dhe me marrëveshjen e statusit të forcave që është nënshkruar nga Kryeministri dhe zoti Bërns, gjatë vizitës së tij, që presim të miratohet nga Kuvendi, të gjithë këto janë tregues se marrëdhëniet tona, siç tha edhe ministri i jashtëm, jo vetëm që janë të shenjta, por janë edhe në rritje dhe përforcim e sipër, duke u bërë një partneritet i vërtetë”, tha Christopher Dell, Ambasador i SHBA-ve në Kosovë.
 
Përveç kësaj marrëveshjeje, Hoxhaj dhe Dell nënshkruan edhe një memorandum mirëkuptimi për bashkëpunim në fushën e arsimit, lidhur me programin akademik të shkëmbimit “Fulbright”.

Top Channel