Vijon trajtimi i studenteve, një në koma

22/05/2012 00:00

Në mbrëmje, mjekët e Spitalit Ushtarak ku po kurohen 14 prej vajzave të plagosura në aksidentin tragjik të Himarës, njoftuan se tre prej tyre vazhdojnë të mbeten në gjendje të rëndë.

Mjeku Rasim Madani tha se nga tre të plagosurat, dy prej tyre kanë dalë nga gjendja e komës, ndërkohë që njëra, e cila iu nënshtrua operacionit pasditen e sotme, mbetet akoma e pavetëdijshme.

Pas homazheve në nderim të viktimave në Universitetin Aleksandër Xhuvani në Elbasan, në Spitalin Ushtarak në Tiranë mbërriti edhe kryeministri Berisha. Kryeministri u njoh me gjendjen e studenteve që mbeten të plagosura nga aksidenti i Himarës.

Kryeministri tha se në tërësi gjendja e studenteve është e mirë, por dy prej tyre, po përballen më vështirësi të mëdha. Për t’u dhënë një ndihmë më të specializuar mjekësore, kryeministri shtoi se janë kontaktuar klinika private ndër më të njohurat jashtë vendit dhe sapo të merret drita jeshile prej tyre, të plagosurat do të zhvendosen menjëherë.

Zoti Berisha vlerësoi se situata e emergjencës u përballua me sukses falenderoi mjekët, policinë, ushtrinë, pilotët e banorët e Himarës për solidaritetin e treguar në tragjedinë e rëndë.

Më herët gjatë ditës, mjeku i njohur Fatos Olldashi deklaroi për Top Channel se pacientja Florije Peci iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale. Mjeku Olldashi u shpreh se pacientja në fjalë ka edhe një dëmtim në kokë dhe ndodhet nën mbikëqyrje të vazhdueshme. Sipas tij, gjendja e 8 pacienteve të tjera të reanimacionit është e qendrueshme dhe se ato po mbahen nën kujdes të vazhdueshëm nga bluzat e bardha.

Më herët Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili e eliminoi si mundësi transportimin e vajzave që janë më rëndë në spitale më të specializuara jashtë vendit, për shkak se lëvizja e tyre për momentin është e pamundur, pasi ato janë të lidhura me aparatura.

Ndërkohë, Drejtori i Spitalit Ushtarak, Bedri Mihja paraqiti një rezyme të gjendjes së 14 vajza që ndodhen në s këtë spital. 9 prej tyre, tha ai, ndodhen në reanimacion, ndërsa një vajzë tjetër është operuar në Spitalin Amerikan. Mihja vlerësoi edhe solidaritetin qytetar për dhurimin e gjakut dhe u shpreh se aktualisht ka depozita të mjaftueshme për të gjithë të lënduarit.

Top Channel