Ekspertët: Rruga s’është e sigurtë

22/05/2012 00:00

Ekspertë të aksidenteve rrugore mendojnë se policia nuk bëri publik për opinionin të dhënat më të rëndësishme të aksidentit tragjik.

Fshehja e këtyre të dhënave, sipas tyre referon një mungesë transparence të theksuar. Fleta e tahografisë nëse ishte në autobus në kutinë e zezë të saj, çertifikimi i drejtuesit të mjetit, viti i prodhimit të autobusit janë disa nga detajet që sipas tyre do të ndriçonin sado pak shkakun e tragjedisë.

Mithat Tola, ekspert i sigurisë rrugore: Nuk u fol për certifikatë të aftësisë profesionale, nuk u fol nëse ai ka kaluar një trajnim sikurse e kërkojnë udhëzimet e fundit të Ministrisë së Brendshme të cilat janë të detyrueshme në bazë të konventave të Bashkimit Europian. Mjeti rezultonte me kontroll teknik të kryer në muajin prill, po pjesa që mbeti enigmë është vjetërsia e autobusit. Ne të gjithë e dimë që midis formalizmit të marrjes së një vule në kontrollin teknik dhe gjendjes së autobusit është një hendet i tërë. Nuk do doja të hidhja dyshime mbi këtë fakt, por duhej të tregohej për transparencë se cfarë vit prodhimi është autobusi.

Bert Koxhaj, ekspert i sigurisë rrugore: Cili është ky drejtues mjeti? Kur është pajisur me leje drejtimi? Cila është CV e tij gjatë viteve të fundit? Nëse ka qenë një drejtues mjeti korrekt, i evidentuar nga policia për shkelje dhe kundravajtje të ndryshme apo jo. Ashtu sikundër mund të ishte ekspozuar fleta e tahografisë, për të parë që në lëvizjen një orë para deri në momentin e aksidentit se me cfarë shpejtësia ka lëvizur ky autobus.

Në sitën e tyre, dita e tragjedisë ka patur probleme të rënda, qofte se si u menaxhua e mbushur edhe me deklarata për të larguar përgjegjësinë shtetërore.

Bert Koxhaj: Mendoj që nuk duhet të ishin nxituar edhe disa qeveritarë që vërtet ai segment është i rikonstruktuar, por nuk duhet menduar se nuk ka problematikë në atë segment rrugor. Kur dihet që në një pjesë të tillë, me një pjerrësi kaq të madhe, mundësia e përfshirjes në një aksident është evidente, në atë pjesë rruge kanë ndodhur edhe herë të tjera aksidente, ndaj duhet që edhe barrierat mbrojtëse, edhe betoni i bordurës të ishte më i lartë që të shmangej një katastrofë e tillë.

Mithat Tola: Si hap i parë, që drejtori i policisë rrugore nuk e tha, cfarë mase do të fillojë nesër? Cfarë do të bëjë policia rrugore? Do të dalë cdo metër, cdo kilometër një polic?! Ata duhet të flisnin për masa kontrolli, të kalonte në revistë brenda javës, minimalisht brenda 3-4 ditëve, një kontroll i të gjithë autobusëve që kryejnë transport publik, i të gjitha shoqërive që janë licensuar për këtë shërbim.

Por ajo që shqetëson ata është fakti se cdo të ndodhë më vonë. Për ekspertin Tola, policia në të gjitha rrethanat do t’ja hedhë fajin drejtuesit dhe cdo gjë do të harrohet shumë shpejt. Ai i bën një apel komitetit ndërministror i sigurisë rrugore, që ka disa vite që nuk është mbledhur për të diskutuar problemet. Ndërsa eksperti Koxhaj shprehet i shqetësuar se si autobusë të tillë janë jashtë vëmendjes së policisë.

Mithat Tola: Vazhdojmë të vuajmë, dhe mua më kujtohet deklarata e Ministrit të Shëndetësisë, që 27 përqind e të aksidentuarve vdesin nga një mosndërhyrje efikase në vendin e aksidentit. Shpesh në vendin e aksidentit në Shqipëri, të plagosurit transportohen nëpër spitale me mjete të papërshtatëshme. Kjo ishte tabloja e parë që u përzje në deklarata të tipit që ne erdhëm u treguam të gatshëm. Unë kam frikë se do fillohet të harrohet, do kufizohemi tek neni 139 i Kodit Rrugor, që bën fjalë për fajësinë e drejtuesit të mjetit që nuk mori masa, i iku mjeti nga kontrolli. Ajo që duhet të ndryshojë, nga 2006 e 2007, Komiteti Ndërministror i Sigurisë Rrugore nuk është mbledhur. Nuk e di faji i kujt është, por me vendim të Këshillit të Ministrave është që ky Komitet duhet të funksionojë e të mblidhet të paktën 3 herë në vit.

Bert Koxhaj: Është kontrolli dhe puna që duhet të bëjë shërbimi i policisë rrugore për të mbajtur në monitorim mjetet që transportojnë ekskursionistë, me grupe të ndryshme që shkojnë në destinacione. Sezoni turistik sapo ka filluar e numri i automjeteve do shtohet. Ka qenë një përvojë që nuk e di pse nuk vazhdohet. Policia rrugore monitoron grupe të tilla mjetesh me nxënës e student.

Top Channel