Tragjedia në Himarë, 13 viktima

21/05/2012 00:00

11 studente, drejtuesi i një autobusi me të cilin ato udhëtonin dhe i fejuari një prej vajzave, humbën jetën në një aksident të rëndë në Qafën e Vishës në rrugën Vuno Himarë. 20 studente të tjera u plagosën rëndë, kur autobusi doli nga rruga dhe përfundoi në një greminë 80 metra të thellë.

Studentët janë në degën Gjuhë-Letërsi në universitetin Aleksandër Xhuvani në Elbasan dhe ishin nisur drejt Sarandës për ekspeditën që realizohet në vitin e tretë të faklutetit. Të parët në vendin e ngjarjes mbërritën banorët e zonës dhe kalimtarët që lajmëruan policinë dhe ambulancat. Artur Lapa ishte një prej tyre.
 
“Kemi mbërritur në momentin e parë, gjetëm njerëz të gjallë u dhamë ndihmën e shpejtë, i nxorrëm të gjithë. Ndihmuam ambulancat dhe ndihmën e shpejtë. Kishte edhe në gjendje të rëndë”, tha Artur Lapa.

Shumë shpejt në vendin e ngjarjes kanë mbërritur dhjetëra autoambulanca, repartet zjarrfikëse, policia të cilët kanë nxjerrë të plagosurit e shumtë nga autobuzi i shkatërruar dhe janë nisur për në qëndrën shëndetësore të Himarës, më e afërta. Aty të plagosurit kanë marrë ndihmën e parë mjekësore, gjithashtu aty janë dërguar edhe viktimat e këtij aksidenti.

Një prej vajzave të plagosura që u mjekua në qëndrën e Himarës para se të nisej për mjekim për në Vlorë ka treguar shkakun e aksidentit.
   
“I mbaj mend të gjitha nuk e di me saktësi sa veta ishim. Shoferi ecte shumë shpejt. Jam nga Elbasani dega Gjuhë-Letërsi, viti i tretë”, tha Ticiana Hysa, studente e mbijetuar.

Ticiana është studente e grupit B të degës gjuhë-letërsi dhe ndodhej ne autobusin e tragjedisë. Ajo së bashku me 20 studentët e tjerë janë nisur me ambulancë për në spitalin e Vlorës ku mjekët kanë qenë në pritje për t‘u dhënë ndihmën e parë të plagosurve.

Aty kanë qëndruar studentët në gjendje më të lehtë ndërkohe që kanë mbërritur nga qyteti Elbasanit edhe familjarët e tyre. Vajzat në gjendje më të rëndë shëndetësore janë nisur me helikopter për në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Helikopterët kanë mbërritur në fushën e helikopterëve në Tiranë ku autoambulancat i kanë dërguar më pas për në Spitalin Ushtarak.

Fatkeqësisht dy prej vajzave humbi jetën atje me gjithë përpjekjet e mjekëve për ta shpëtuar. Policia doli me nje deklarate zyrtare per ngjarjen ku konfirmoi emrat e studenteve të plagosura që kurohen në Tiranë dhe në Vlorë. 

Sipas njoftimit zyrtar te Policise se Shtetit, ngjarja ndodhi rreth orës 16.15. Në vendin e quajtur Qafa e Vishës, një autobus me targë El 2274 B, me drejtues shtetasin Pëllumb Çela, vjeç 55, me të cilin po udhëtonin disa studentë të universitetit “Aleksandër Xhuvani” ka dalë nga rruga. Menjëherë, drejt vendngjarjes janë nisur forca të shumta të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë, të Repartit Delta Force dhe të Njësisë Rajonale të Policisë Rrugore për të dhënë ndihmën e nevojshme dhe për të menaxhuar situatën. Pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit u ngrit grupi i punës për menaxhimin e situatës.

Drejt vendngjarjes shkoi gjithashtu dhe Ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Ndërkohë për të transportuar të dëmtuarit drejt spitalit u dërguan helikopterë të Policisë së Shtetit, Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, ndersa u nisen dhe forcat speciale RENEA, si dhe forcat speciale të Ministrisë së Mbrojtjes. Në vendngjarje u derguan dhe ambulancat e Vlorës, Himarës, Sarandës, si dhe ambientet spitalore u vunë në gatishmëri të plotë.

 

 

 

FOTO GALERI
2/15

Top Channel