Mësuesit pa profil largohen në shtator

21/05/2012 00:00

Mësuesit të cilët japin mësim në arsimin parauniversitar “betejën” e
fundit për të mbajtur vendin e punës do ta kenë deri në shtator të këtij
viti.

Një udhëzim i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës kërkon nga Drejtoritë e shkollave mbajtjen e një baze të dhënash ku të jenë të shkruara të dhënat e mësuesve që japin mësim në arsimin parauniversitar.

Detaji kryesor i kërkuar nga ky inspektim janë degët e studimeve të larta që kanë përfunduar mësuesit, profilin që ata kanë si dhe lëndën që ata japin në institucionin ku janë të punësuar.

Vitet e fundit Ministria e Arsimit, drejtoritë arsimore dhe drejtoritë e shkollave kanë grumbulluar të dhëna duke bërë përzgjedhje për mësuesit që do të vijonin të mbanin vendin e punës. por jo vetëm, kërkesat dhe kriteret për të qenë mësues në një shkollë shqiptare kanë ardhur në ngritje, duke përfshirë kritere nga cikli fillor e deri në gjimnaz. Kështu në shkollat shqiptare vitin e ardhshëm do të ketë një trup pedagogjike të konsoliduar, ku secili mësues i punësuar do të përmbushë kriterin kryesor dhe më të rëndësishëm; atë të studimeve të larta në degën ku jep mësim.

Emërimet, largimet dorëheqjet e mësuesve por edhe drejtuesve të shkollave, sipas ministrisë së arsimit dhe shkencës do të vendosen dhe paraqiten të detajuara në projektligjin e arsimit të lartë që për pak kohë pritet të miratohet. Ndërkohë që krijimi i të bazës së të dhënave për studimet e secilit mësues është një kriter normal dhe evidencë që duhet ta ketë çdo institucion arsimor.

Deri në fillim të vitit të ri shkollor jo vetëm që nuk do të ketë më në punë mësues që kanë përfunduar studimet në një degë dhe japin një lëndë jashtë profilit të tyre, por do të ketë edhe më shumë kërkesa edhe për ata që tanimë e plotësojnë këtë kriter.

“do ti ftojmë mësuesit që të jenë të profilizuar në më shumë se një fushë. Do të kërkojmë që mësuesit të kenë dy profile, por sistemin e largimit, emërimit në detyrë si për mësuesit ashtu edhe për drejtuesit e shkollave do të vendoset nga projektligji i arsimit të lartë që pritet të miratohet shumë shpejt”, ka deklaruar zyrtarisht ministria e arsimit dhe e shkencës. Sipas MASH pas miratimit të projektligjit, shpjegues dhe sqarues për çështjen e emërimeve dhe largimeve do të jenë edhe aktet normative që do të vijojnë menjëherë pas hyrjes në fuqi të rregullave të tjera.

Nga ana tjetër drejtues të shkollave kanë njoftuar mësuesit lidhur me projektligjin por kanë informuar edhe se udhëzimi dhe kërkesa e MASH që në fillim të vitit për përmbushjen e kriterit të profilizimit për lëndën që japin do të jetë nën vëzhgim.

Kështu mësuesit do të kalojnë në sitë, duke nisur nga muaji i fundit i këtij viti shkollor deri në çeljen e vitit të ri.

Top Channel