Gramsh, shembet ura, rrezikohet tragjedia

20/05/2012 00:00

Një urë pasarele që lidh dy fshatra në zonën e thellë të Gramshit është shembur dhe për pak i ka marrë jetën dy motrave të mitura.

Fjoralba dhe Leda Paja, 12 dhe 14 vjeç, kur ktheheshin nga shkolla ranë nga ura direkt në lum në Holtë dhe janë shpëtuar rastësisht nga një person qe dëgjoi thirrjet e tyre për ndihmë.

”Isha duke kaluar aty pranë, kur dëgjova britmat për ndihmë. Renda në vend dhe pashë dy vajza që i kishte marrë lumi. U futa me nxitim dhe për fat, arrita t’i nxirrja në breg të dyja”, tregoi Arjan Liçi, shpëtimtari i dy jetëve.

Nga ana e tij, babai i dy vajzave bën thirrje që kjo pasarelë të riparohet sepse edhe femijë të tjerë rrezikohen çdo ditë kur kalojnë aty për të shkuar në shkollë.

”I kërkoj strukturave shtetërore që të ndërhyjnë dhe të bëjnë të mundur riparimin e urës, ku çdo ditë kalojnë 30-40 fëmijë për t’u shkolluar. Askush nuk duhet të pësojë fatin e vajzave të mia”, tha Gani Paja.

”Është një mrekulli e Zotit se si të dyja vajzat shpëtuan të padëmtuara. Ato kërkonin vetëm të arsimoheshin dhe për të vajtur në shkollë duhet kaluar detyrimisht nga ura”, deklaroi Luljeta Dollani, kryetarja e Partisë Socialiste në Gramsh.

Haki Llapushi, kryetari i komunës Poroçan, nga ana e tij kujtoi se “ura është ndërtuar përpara viteve 1970 dhe se ajo është e domosdoshme për komunikimin e dy fshatrave me pjesën tjetër të rrethit”.

Aktualisht, ura vazhdon të jetë e shembur, duke izoluar fshatrat Gjerë dhe Holtë.

Top Channel